Dy golat, premtimi i Abazajt, numri 61 dhe ëndrra kombëtare: Rrëfehet Rroca

schedule09:58 - 18 Tetor, 2020

schedule 09:58 - 18 Tetor, 2020

Eduart Rroca zhvilloi një ndeshje madhështore ditën e djeshme. Fantazisti dhuroi dy gola dhe një asist në fitoren 0-3 të Istanbulspor, ekip ku u transferua në 18 shtator. 27-vjeçari është përshtatur mirë në futbollin turk dhe së bashku me Kristal Abazajn, janë dy ndër lojtarët kryesorë.

Istanbulspor mban vendin e parë në 1. Lig dhe është në rrugën e duhur për të realizuar objektivin Super Lig. Në një prononcim për Supersport, Rroca flet rreth dy golave, Abazajt, sekretit të numrit 61 dhe ëndrrës kombëtare.

PËRSHTATJA – “Jam ambientuar shumë mirë dhe më vjen mirë që arrita të shënoj edhe gola. Luanim përballë një kundërshtari shumë të fortë, që ashtu si ne pretendon ngjitjen në elitë, ndaj fitorja na gëzoi dyfish. Jam i lumtur që jo vetëm morëm maksimumin, por shënova dy gola, që do të më shërbejnë edhe më shumë në aspektin moral.

Negociatat me drejtuesit e Istanbulspor unë i kam nisur shumë më herët se para se të vija këtu dhe gjatë kësaj kohe kam folur vazhdimisht edhe me trajnerin. Erdha në Turqi për të folur nga afër me trajnerin, por edhe këtu na kanë pritur shumë mirë si mua dhe Abazajn”.

ABAZAJ – “Jemi sërish bashkë dhe e vërteta është që Abazajn e kam marrë unë me vete në të tre skuadrat, pasi kam shkuar para tij edhe te Luftëtari, te Kukësi, por edhe këtu. Kristali më ka premtuar që kur të ndërrojë skuadër herë tjetër, do më marrë me vete”.

SUPERIORJA – “Ka shumë lojtarë në Superiore, të cilët mund të luajnë fare mirë këtu. Nuk dua të them emra, por disa futbollistë të Kukësit do të përshtateshin shumë mirë këtu”.

KOMBËTARJA – “Të them të drejtën e pres një ftesë dhe e kam ëndërr, por jam i përqendruar të bëj maksimumin me klubin dhe të rritem sa më shumë. Kombëtarja është aty dhe ka nevojë për lojtarë të mirë. Nëse unë jam në formë, do të vijë edhe thirrja”.

NUMRI 61 – “Presidenti i skuadrës është nga Trabzoni dhe prefiksi i këtij qyteti është 61. Ishte presidenti që shprehu dëshirën të mbaja këtë numër dhe unë ia plotësova”.

BOJKOTI – “Jam i informuar për situatën në Superiore, pasi flas vazhdimisht me shokët që luajnë atje. Shpresoj të zgjidhen sa më shpejt këto probleme dhe gjithçka t’i rikthehet normalitetit. Rrogat? Ne të gjithë e dimë se ka pasur raste kur nuk jemi paguar edhe pse kemi luajtur, jo më të rrish pa luajtur që bëhet më e vështirë”. /abcnews.al