Policia në Krujë ka zbuluar në një banesë dykatëshe dy ambiente të përshtatura për përpunim dhe përgatitje për shitje të kanabisit dhe të furnizuara me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Njoftohet se me finalizimin e operacionit të koduar policor “Fokusi”, në pranga është vënë V. S., 23 vjeç, banues në Derven, Krujë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
Në banesën e 23-vjeçarit, shërbimet e Policisë konstatuan 2 ambiente (dhomë dhe magazinë), të përshtatura për përpunimin, tharjen dhe përgatitjen për shitje të lëndës narkotike kanabis.
Gjatë kontrolleve të imtësishme në këto ambiente, u gjetën dhe u sekuestruan në total, 58.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje, si dhe gjatë verifikimeve, në bashkëpunim me punonjësit e OSHEE-së, u konstatua se këto ambiente furnizoheshin me energji elektrike përmes lidhjeve të paligjshme.
Në vijim të operacionit, u ushtrua kontroll dhe në ambiente të tjera të kësaj banese dhe u gjet e u sekuestrua edhe municion luftarak. /abcnews.al/