Durrësi i mbytur në plehra, kompania private i jep “një dorë” dhe i kujton kushtet: Dy javë afat

schedule20:17 - 28 Qershor, 2021

schedule 20:17 - 28 Qershor, 2021

I ndodhur në presion publik përballë situatës së krijuar në Durrës gjatë ditëve të fundit ku rrugët e qytetit janë pushtuar nga plehrat, kompania koncesionare që operon në Landfillin e Sharrës ka zgjatur afatin e grumbullimit të plehrave pa pagesë, duke i rikujtuar bashkisë kushtet e marrëveshjes.

Kompania ka marrë përsipër pastrimin e qytetit deri më datë 15 korrik ndërkohë që pas kësaj date, Bashkia duhet të marrë masat e nevojshme për zgjidhjen e kësaj problematike pasi depozitimi i plehrave nuk do lejohet më deri në plotësimin e kushteve.

“Në vijim të kërkesave të vazhdueshme nga ana juaj sa i përket depozitimeve të mbetjeve, të cilat gjenerohen nga pastrimi i territorit te Bashkisë Durrësi si dhe referuar situatës kaotike të krijuar në qytetin e Durrësit, pikërisht nga grumbullimi i mbetjeve të gjeneruara dhe në kushtet ku qyteti juaj nuk pastrohet prej ditësh, shoqëruar “Integrated Energy BV SPV” shpk. nuk mund të qëndrojë indiferente përballë kësaj situate kritike. Për më tepër që kjo shoqëri ka si një nga parimet bazë të veprimtarisë së saj, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik.

Nëpërmjet kësaj shkrese, ju bëjmë me dije se mund të vijoni menjëherë me depozitimet pranë Z.T.M.T për të cilat ju nuk do të paguani tarifën e depozitimit për një periudhë nga data 28.06. 2021 deri në datën 15.07.2021. Pas kësaj date jeni të lutur të ndërmerrni masat e nevojshme për zgjidhjen e problematikës pasi nuk do të lejoheni më për depozitime nëse nuk përmbushni kushtet e komunikuara nga ana e shoqërisë sonë”, thuhet në shkresë.

Për çfarë kushtesh bëhet fjalë

Landfilldi i Sharrës në Tiranë mbylli dyert pasi joshi për dy javë qeverinë duke pranuar për përpunim e mbetjeve të Durrësit. Me sa duket ministria e financave nuk i pagoi paratë e përpunimit të mbetjeve, propozim ky i bërë në rreth 20 ditë më parë nga bashkia e Durrësit. Kjo e fundit grumbullimin dhe transportimin e morri vetë përsipër.

Ky problem ka nisur dy vjet më parë në nisje të sezonit turistik. Me përfundimin e të kontratës së përkohshme me koncensionarin, Bashkia e Durrësit propozoi zgjatjen e saj me 14 vite dhe kërkoi që përpunimi i mbetjeve të financohet nga buxheti i shtetit.

Marrëveshja e re nuk është firmosur ende. Shkak mund të jetë dhe tarifa, pasi koncesionari paguhet 29 euro për djegien e një ton mbetje të Tiranës. Ndërsa për Durrësin kostoja e përpunimit është propozuar të arrijë në 40 euro për ton.  Nga ana tjetër Bashkia e Durrësit nuk ka vend tjetër ku të depozitojë mbetjet urbane, pasi Porto Romano është marrë nga qeveria. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!