Javën e ardhshme pritet që në Durrës të hyjë në fuqi rritja e çmimit të biletës në transportin urban. Nga 30 lekë, sipas vendimit të Këshillit Bashkiak ajo do të jetë 40 lekë. Por, ky vendim nuk është pritur mirë nga banorët e qytetit bregdetar.
Çmimi i biletës të transportit urban në Durrës është rritur. Ishin këshilltarët e Këshillit Bashkiak ata që miratuan propozimin e Bashkisë për rritje të vlerës me 10 lekë më shumë. Rritja e çmimit e cila hyn në fuqi javën e ardhshme erdhi pas ankesave të dy operatoreve privatë për rritje të vazhdueshme të shpenzimeve.
Në qytetin e Durrësit 70 % e qytetarëve përdorin transportin publik. Kjo bën që kostoja sociale e këtij vendimi që u mor pa u konsultuar me grupet e interesit, të jetë e madhe. Qytetarët që mbështeten në transportin publik për të udhëtuar thonë se të tilla rritje thellojnë edhe më shumë krizën e ekonomisë se tyre vetjake. Në Durrës operojnë 6 linja të transportit urban. Rritja e çmimit të biletës sipas bashkisë se qytetit do të sjellë dhe rritje të cilësisë së shërbimit.
Gazetare Enkeleda Arapi