“Qytetarët” e Manchester City zhgënjyen jo pak fundjavën që sapo lamë pas, teksa në “Etihad”, nuk shkuan më shumë se barazimi, 1 me 1, ndaj “Bluve” të Chelsea, në një përballje ku rastet nuk munguan për djemtë e teknikut, Pep Guardiola, mirëpo nuk arritën dot t’i finalizonin siç duhet.
Kundërshtari i radhës do të jetë Brentford, me kampionët në fuqi, të Premier League, që i presin “Bletët”, në “shtëpi”, mbrëmjen e së martës. Siç e do zakoni një ditë para sfidës zhvillohet edhe konferenca e zakonshme për shtyp, nga ku tekniku Pep Guardiola është shprehur se do t’i kërkojë skuadrës së tij, të jetë perfekte për 95 minuta.
“Ndaj Brentford skuadra do të ketë të njëjtin presion siç ka pasur edhe në ndeshjet e tjera. Nga 15 sfidat e fundit kemi fituar 13 dhe kemi barazuar dy. Në përgjithësi kemi bërë shumë mirë, ndaj Chelsea nuk ishim në më të mirën por e di mirë sa e vështirë është të jesh në maksimum për të gjithë kohën. Unë jam i pari që i kërkoj skuadrës perfeksionin për 95 minuta, por diçka e tillë është thuajse e pamundur.
Pse të gjithë presin kaq shumë nga City? Sepse ne jemi e vetmja skuadër që kemi fituar aq shumë trofe në vitet e fundit. Duhet të bashkëjetojmë me këto pritshmëri, njerëzit mendojnë se është e lehtë, por jo. Kështu më ndodhte edhe kur isha te Barcelona, pritshmëritë ishin maksimale, por për mua është një nder. E rëndësishme është që ne të vazhdojmë përpara në këtë rrugë”,- u shpreh tekniku spanjoll. /i.m /abcnews.al