“Duel mes dy ekipeve super, mos prisni dominim. Lewa? Jo në nivelin e Messit”

schedule23:20 - 13 Gusht, 2020

schedule 23:20 - 13 Gusht, 2020

Bayern Munchen-Barcelona është finalja e parakohshme në Champions League. Dy skuadrat e mëdha do të përballen nesër mes tyre në “Estádio da Luz” (21:00) në çerekfinale. Trajneri i ekipit katalanas, Quique Setien flet për duelin e fortë në konferencën për shtypin, duke prekur disa tema.

PËRBALLJA – “Ndeshja me Bayern është shumë e rëndësishme. Do të jetë një përballje shumë e ekuilibruar, askush nuk do të dominojë dhe ka rëndësi të madhe ta qarkullojmë ne topin. Kur ta kenë topin, duhet të mbrohemi mirë. Duhet të alternojmë dy fazat, sulmin dhe mbrojtjen. Djemtë nuk kanë nevojë për motivim në këto lloj sfidash”.

RIVALËT – “Bayerni është një skuadër që bën mirë presing dhe krijon shumë raste. Ata kanë një potencial të madh në sulm, e njohim forcën që ka Bayerni. Janë të jashtëzakonshëm, por të tillë jemi edhe ne”.

SKUADRA – “Jemi në gjendje të mirë, kemi punuar për këtë ndeshje dhe mezi po presim të luajmë. Jam i lumtur që është kthyer Dembele. Uroj që të jetë në gjendje për të luajtur disa minuta”.

MESSI – “Leo mund të na ndihmojë për të fituar ndeshjen, por besoj më shumë te forca e skuadrës. Duhet ta ndihmojmë Leon, ai arrin të bëjë më pak pa forcën e të gjithëve”.

KRAHASIMI – “Lewandowski është një lojtar i madh, por nuk është në nivelin e Messit. Po kalon një moment të mirë, ka shënuar 13 gola në Champions League dhe shokët e kanë ndihmuar shumë. Por Leo e tregoi kundër Napolit se çfarë mund të bëjë”. /abcnews.al