Arratia merr fund, por shqiptari nuk i heq duart nga fytyra (Video)

schedule20:50 - 27 Qershor, 2019

schedule 20:50 - 27 Qershor, 2019

Vetëm dy ditë zgjati arratia e një 34-vjeçari shqiptar, i cili të hënën u arratis nga burgu i Trapanit ku vuante një dënim për trafik droge. Lekë Luca, u arrestua pasditen e së mërkurës, pas kontrolleve të autoriteteve lokale.

Sipas asaj që shkruajnë mediat, policia ishte fokusuar te zona hekurudhore që lidh Trapanin dhe Palermon, pasi kjo ishte mundësia e vetme se si mund të largohej Luca. Kjo për shkak se i riu shqiptar nuk kishte para, ishte vetëm si dhe nuk njihte vendet.

Duke ndjekur linjën hekurudhore në këmbë, autoritetet mendonin se Luca mund të fshihej mes fushave të pabanuara të mbjella me grurë ose të mbuluara nga kallamishtet.

Kjo teori e policëve rezultoi e suksesshme. Ata llogaritën kohën dhe shpejtësinë që Luca mund të kishte lëvizur dhe piketuan një zonë të caktuar ku besonin se fshihej dhe ku kryen kërkime më të thelluara.

Kjo lëvizje rezultoi efikase pasi ata e pikasën Lucën pasditen e 26 Qershorit në zonën Bruca. Sapo pa policët, Luca u mundua t’ia mbathte, por disa patrulla i zunë pritë. Në këtë moment ai u dorëzua pa bërë rezistencë. Me vete, 34-vjeçari mbante një çantë ku kishte një kaçavide, një thikë, një batanije dhe një kartmonedhë 50 Euro.

Lekë Luca u arratis duke kapërcyer murin rrethues të burgut “San Giuliano”. Burimet mediatike bënë të ditur se arratisja ndodhur rreth orës 15:00 të 24 Qershorit, kur përfundoi orari ajrimit. Gardianët shkuan për të udhëhequr të burgosurit në qeli, por konstatuan se Luca mungonte.

Menjëherë u dha alarmi dhe patrulla të shumta karabinierësh dhe policie u vunë në lëvizje për të gjetur 34-vjeçarin, që dyshohet se është pritur nga dikush me makinë jashtë mureve të burgut.

Kjo është hera e dytë që Luca arratiset nga burgu dhe agjentët e kanë konsideruar aktin e tij sa spektakolar aq edhe akrobatik./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!