Drogë me destinacion Shqipërinë në portin e Pireut, sekuestrohen 45 kg kokainë

schedule18:14 - 26 Shtator, 2019

schedule 18:14 - 26 Shtator, 2019

Autoritetet greke në portin e Pireut kanë zbuluar një ngarkesë prej 45 kilogramë kokainë që kishte si destinacion Shqipërinë. Sipas mediave greke, pasi kanë kontaktuar autoritetet shqiptare, zyrtarët helenë kanë lejuar vazhdimin e itinerarit të lëndës narkotike, duke bërë që ajo të sekuestrohet në Shqipëri.

Oficerë të doganës greke në portin e Pireut, pas një procesi hetimor të kryer në bashkëpunim me autoritetet shqiptare kanë mundësuar sekuestrimin e një sasie prej 45 kilogramë kokainë. Sipas versionit grek të CNN, sasia e lëndës narkotike ishte fshehur në dy konteinerë, që pas ndalesës në portin e Pireut do të udhëtonin drejt Durrësit. Sipas burimit, pasi identifikuan dy konteinerët, oficerët grekë kontaktuan autoritetet shqiptare dhe ranë dakord që ngarkesa të mbërrinte herët në Durrës, në mënyrë që të mos krijoheshin dyshime. Rrjedhimisht, dy konteinerët u liruan nga doganat dhe u ngarkuan në një anije me destinacion Durrësin më 14 shtator. Droga mbërriti në vendin tonë tre ditë më vonë dhe pasi u shkarkua u vendos nën mbikëqyrje nga autoritetet shqiptare. CNN-i grek citon autoritetet shqiptare të thonë se më 20 shtator tre persona iu afruan konteinerit në Durrës dhe kur e kuptuan se po monitoroheshin u përpoqën të arratiseshin. Personat në fjalë janë identifikuar dhe një prej tyre është arrestuar, ndërsa dy të tjerët janë në kërkim. Departamenti i Doganave të Pireut u informua nga autoritetet më të larta shqiptare më 24 shtator se të paktën 4 persona ishin të përfshirë në këtë rast dhe se hetimet po vazhdojnë. Ndërkohë, konteineri i dytë mbetet ende nën vëzhgim në portin e Durrësit, shton burimi mediatik grek. /ABC news Albania 24/7

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!