“Drogë” dhe “Emigracion të paligjshëm”, arrestohen shqiptarët

schedule11:12 - 8 Prill, 2019

schedule 11:12 - 8 Prill, 2019

“Emigracion klandestin”, “trafik ndërkombëtar droge” dhe “posedim armësh luftarake”. Janë këto akuzat që rëndojnë mbi dy banda shqiptarësh të shkatërruara mëngjesin e kësaj të hëne nga karabinierët e Frascati, pas urdhërarresteve të lëshuara nga Gjykata e Romës për 18 persona.

Sipas mediave italiane, për 11 prej tyre u dha masa e arrestit më burg, 2 në arrest shtëpie, ndërsa 5 tjerë detyrim paraqitjeje.

Hetimet: Karabinierët e Frascati zbuluan ekzistencën e organizate të përbërë kryesisht nga shqiptarë, të cilët drejtonin trafikun e marijuanës që vinte nga Shqipëria dhe kishte si destinacion tregun e kryeqytetit italian, si dhe një tjetër grup kriminal të lidhur me të parin, që kishte krijuar një urë të vërtetë mes Italisë dhe Britanisë, të trafikut klandestin të shqiptarëve drejt Britanisë.

Falë bashkëpunimit me policinë angleze u bë e mundur vërtetimi i tezave të hetuesve, pasi në aeroportin e Londrës u arrestua një grua shqiptare e cila kishte mjet identifikimi italian të falsifikuar. Bashkë me të ishte edhe një shoqërues, pjesë e organizatës.

Baza: Baza e kësaj organizate ndodhej në provincën e Romës, mes komunave të Guidonia dhe Fonte Nurova. Ajo drejtohej nga njerëz që shfrytëzonin njohjet me bashkëatdhetarë të tjerë, të cilët jetonin prej vitesh në Itali. Ata lëviznin në brendësi të gjithë provincës duke kontaktuar shpërndarës të ndryshëm me të cilët perfeksionin marrëveshjet për furnizimin me lëndë narkotike.

Përgjimet: Hetimet, të cilat u mbështetën edhe në përgjimet telefonike e ambientale, bënë të mundur identifikimin e blerësve të ndryshëm dhe dëshmuan edhe tregtinë e marijuanës nga ana e grupit kriminal. Në një rast u bë gjithashtu e mundur sekuestrimi i një sasie të madhe marijuane, si dhe një automatiku AK-47 e prodhuar jashtë.

Hetimet mundësuan gjithashtu identifikimin e të gjitha rrugëve të trafikut të lëndëve narkotike, që nga Shqipëria mbërrinte në Puglia dhe transportohej më pas me makinë drejt Romës.

Po gjatë hetimeve u identifikua ekzistenca e një tjetër grupi kriminal, i lidhur me të parin dhe i përbërë nga disa shqiptarë, si dhe një italian, banues në Provincën e Napolit. Ky grup ishte përgjegjës për favorizimin e emigracionit të paligjshëm. Organizata i ndihmonte shqiptarët që të shkonin në Itali, ku qëndronin për disa ditë. Më pas ata shoqëroheshin drejt Britanisë me anë të dokumenteve false. Në veçanti përdoreshin dokumente që u përkisnin italianëve, që u ndryshonin fotot dhe të dhënat sipas personit që e mbante.

Klandestinët: Në Angli, organizata merrej ndër të tjera me akomodimin e emigrantëve në këmbim të një shume të caktuar parash. Hetimet kanë çuar në sekuestrimin e 150 kilogramëve marijuanë e me dhjetëra doza kokaine e heroine. Gjatë operacionit të zhvilluar mëngjesin e kësaj të hëne në banesën e një prej të arrestuarve u gjetën 4 kilogramë marijuanë, e fshehur brenda një valixheje. Identitetet e personave të përfshirë në këto aktivitete kriminale nuk bëhen të ditura./tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!