Drita e Gjilanit kampione e Kosovës

schedule13:02 - 21 Maj, 2018

schedule 13:02 - 21 Maj, 2018

Qyteti i Gjilanit festoi titullin kampion të Kosovës në futboll. Skuadra e drejtuar nga trajneri Isufi përballoi konkurrencën e Prishtinës, dhe sezonin e ardhshëm do të luajë në Champions.

Në fund festa ishte e Dritës.

Futbollistët nga Gjilani e fituan më në fund titullin kampion në Kosovës në futboll, duke marrë rezultatin që deshën ndaj Prishtinës.

Tifozët ishin të papërmbajtshëm dhe futbollistët po ashtu, për suksesin që e prisnin prej 15 vitesh, dhe që e arritën në stadiumin modest të qytetit të Pejës.

Ishte aty edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, si dhe presidenti i Federatës, njëkohësisht legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri.

Prishtina e drejtuar nga trajneri tiranas, Mirel Josa, nuk bëri dot mrekullinë që të fitonte me dy gola diferencë, dhe u pajtua me barazimin 0-0, e me humbjen e kësaj gare.

Skuadrës më të suksesshme të shtetit I prishi punë edhe kartoni I kuq për Debatik Currin që në minutën e 32-të, që e detyroi të luante me një lojtar më pak për më shumë se një orë.

Drita realizoi një sezon vërtet të madh, duke grumbulluar 67 pikë ndaj 64 të prishtinasve, që janë 10 herë kampionë të Kosovës, por që këtë herë dolën të mundur.

Ajo u drejtua në stol nga trajneri Bekim Isufi, ndërsa në fushë nga kapiteni Ardian Limani.

Kampionët e rinj janë lojtarë të njohur në Kosovës që nga portieri Leutrim Rexhepi, mbrojtësi Liridon Leci apo edhe futbollisti që luajti në Shqipëri, Astrit Fazlliu.

Drita do të luajë sezonin tjetër në Champions, në raundin paraeleminator, ndërsa Prishtina do të jetë në Ligën e Europës.

Festa ishte e madhe edhe në qytetin e Gjilanit pas mbërritjes së skuadrës me trofeun, pasi mijëra njerëz mbushën qendrën duke kënduar e brohoritur për një kohë të gjatë.