“Drejtësia e thertores së Banit”/ Veliaj: Vila në Qerret e vjehrrit, po persekutohet nga prokurori pervers

schedule16:32 - 16 Shkurt, 2025

schedule 16:32 - 16 Shkurt, 2025

Nga qelia e paraburgimit në Durrës, Erjon Veliaj ka publikuar disa fotografi të vjehrrit të tij të ndjerë, Arben Xoxa në vilën në Qerret. Kryebashkiaku akuzohet nga SPAK për këtë vilë se është në pronësi të tij.

Në fotot e publikuara nga Veliaj shihet Arben Xoxa, në dy momente, me pantallona të shkurtra bashkë me familjarë gjatë një dreke në vilën e Qerretit, ndërsa përballë tij në foton e parë është ish-balerina e parë e Teatrit të Operës dhe Baletit, Ganimet Vendresha, njëkohësisht nëna e bashkëshortes së Xoxës, Valbona.

Veliaj thotë se Arben Xoxa u nda nga jeta në shkurt të vitit 2019 dhe foto është të paktën nga vera e vitit 2018.

Kjo është pikërisht koha kur, sipas Gentjan Sulajt, pronarit të vilës, Arben Xoxa ia kishte blerë duke e shkëmbyer me një apartament që babai i Ajola Xoxës kishte në të njëjtin fshat turistik në Qerret.

Fotot sipas Veliajt përgënjeshtrojnë edhe dëshminë e shoferit të Arben Xoxës, i marrë në pyetje nga BKH, sipas të cilit babai i Ajola Xoxës nuk kishte qenë kurrë në vilën e Qerretit, por ndërkohë për periudhën për të cilën bëhet fjalë, ka qenë i shtruar në spital me tumor në kokë.

“Ndërtuesi prokuror, pretendon se shtëpia e Arben Xoxës në Qerret, të cilën e ka pasur që përpara se të isha unë në politikë, madje apartamentin fillestar, përpara se të martohesha me Ajolën – nuk është në fakt e tija, por e imja”.

Po me cilat prova? Ols ndërtuesi thotë se shoferi i 4 muajve të fundit të jetës së Arbenit nuk e ka çuar në plazh. Më fal, por nëse 4 muajt e fundit të jetës ishte pacient me tumor në kokë, nën regjimin spitalor të doktor Petrelës, pse do shkonte në plazh? Dhe i pasëmurë, pse do vente robi në plazh në dimër, Nëntor, Dhjetor, Janar, Shkurt?

Madje, Ols violina, insiston se Arben Xoxa s’ka qenë kurrë në shtëpinë e tij! Po mirë, po ky në foto kush është?

Duke vijuar akuzat për prokurorin Dado, Veliaj shton se nëse apartamenti do të ishte pronë e tij, s’do kishte arsye pse mos ta deklaronte. Për këtë rast, kryebashkiaku bën një krahasim me Sali Berishën, dhe vilën e tij në Gjirin e Lalëzit.

“Po unë pse s’do e deklaroja po ta kisha? Po tani ç’të bëj? Djali të mos vejë te gjyshja me lodra, se i veshin pronën? Pra, po kjo gjykatë, që i thotë Saliut vila në Lalëz është e vajzës, ndaj mund të shkosh, i thotë nipit të Arben Xoxës, ti nuk mund të vesh te gjyshja? Dhe këtë e bekon adashi kasap, gjykatësi i thertores Erjon Bani: Të gjithë të barabartë para ligjit, por disa – si Sali kërma – më të barabartë se të tjerët!”

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!