Drama e familjes Bregaj prej 9 muajsh pasi tërmeti i shkatërroi banesën: S’ka ardhur njeri te ne

schedule09:39 - 7 Shtator, 2020

schedule 09:39 - 7 Shtator, 2020

Angjelina Bregaj prej 9 muajsh kujdeset për bashkëshortin e saj me epilepsi dhe vajzën me sindromën Down. Familja qëndron në një kontejner që siç tregon ajo, sa herë bie shi e fut gjithë ujin brenda.

Banesa e saj dhe dy familjeve të tjera që jetojnë në të njëjtën ndërtesë, për shkak se u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit, është klasifikuar e pabanueshme. Deri më tani kanë shkuar 5-6 komisione, por s’ka marrë asnjë zgjidhje.

Ish-nënkryetarja e bashkisë së Lezhës, Alfrida Marku, ishte në familjen Bregu në Lezhë, ku u njoh me historinë e vështirë të Angjelina Bregaj.

“Unë jam Angjelina Bregaj. Shtëpinë, ma ka rrëzuar tërmeti. Jemi 3 familje në një rreth shtëpie. Shtëpinë e kanë vlerësuar të pabanueshme dhe e kanë vlerësuar për rindërtim. Më kanë ardhur nja 5-6 komisione këtu dhe as edhe një përgjigje nuk më kanë dhënë. Veç do vijmë sot, do vijmë nesër edhe asnjë s’ka ardhur këtu. Unë jam vetë i katërti. Kam burrin me sëmundjen e epilepsisë, kam vajzën me sindromën Down, jam vetë me migrenë e me spontiatrozë. Një djalë kam shëndoshë prej të madhit Zot se ne të tërë jemi të sëmurë.

Kam një plak 73 vjeç, ka jetuar tërë dimrin vetëm në gërmadhat. Unë sot jetoj në kontejner . Ha, pi, rri se unë aty nuk mund të hyj. Çfarë bie shi jashtë më bie në garsoniere brenda. Ma kanë pru demek për të fortë. Garsonieren (kontenjerin) e kam veç me fjet për verë, se për dimër nuk bën”, ka treguar ajo.

Në të njëjtën ndërtesë ka jetuar edhe familja e Vatë Bregut i cili thotë se në çadër kushtet janë të vështira, ndërsa në shtëpinë e rrënuar ka rrezik.

“Jam kryefamiljari këtu. Shiheni vetë shtëpinë se si është. Kanë ardhur e kanë parë, por vetëm kaq. S’ka ardh kush as do me dit gjë kush, pasha hajrin se tashi ne jena familjarë. I kanë pru këto dy çadra këtu po këto rrjedh sa rrjedh s’është me nejt gjithmonë në çadër as në atë hekurishten atje, atë llamarinën atje. Shtëpinë ma kanë nxjerrë DS4, për ta bërë që nga themeli edhe akoma, prej muajsh, nuk më la pyetur kush se ku qëndroj edhe ku jetoj. Pra unë dua, vetë si plak unë e kam ngrënë kashtën e samarit, unë rri edhe atje në mal një plastmas, po kam hallin e kësaj vajzës së vogël edhe djalit me epilepsi, edhe them me vete edhe me e pas hasëm duhet ta ndihmojmë”, shprehet ai.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!