Këtë të enjte në orën 10:00 Kuvendi do të mbajë një seancë plenare për të ratifikuar aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.
ABC News zbardh projektligjin që parashikon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes, sipas tekstit bashkëlidhur.
Karta përbëhet nga 13 krerë që rregullojnë krijimin dhe funksionimin e tij. Kujtojmë se një ditë më parë qeveria miratoi marrëveshjen për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, ku edhe theksohet se në këtë fazë nuk do të ketë detyrime financiare.
Projektligji “për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”
Projektligji parashikon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes, sipas tekstit bashkëlidhur. Karta përbëhet nga 13 krerë që rregullojnë krijimin dhe funksionimin e tij, konkretisht si vijon:
Kreu I parashikon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare, me misionin për të ushtruar funksione të ndërtimit të paqes, stabilitetit dhe rindërtimit në territore të prekura nga konflikti, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe dispozitat e Kartës së tij themeluese.

Kreu II parashikon anëtarësimin në Bord nga shtetet anëtare, në bazë të ftesës nga kryetari dhe njoftimit formal të pëlqimit për të qenë të lidhur nga kjo Kartë, sipas parashikimeve të nenit 11 të Kartës. Shtetet mund të përfaqësohen në Bord nga Kreu i shtetit ose Kreu i qeverisë.
Karta garanton ruajtjen e sovranitetit të shteteve anëtare, duke parashikuar se asnjë dispozitë e saj nuk i jep Bordit juridiksion brenda territorit të një shteti anëtar dhe as nuk e detyron një shtet anëtar të marrë pjesë në një mision specifik ndërtimi paqeje pa pëlqimin e shprehur të shtetit.
Çdo shtet anëtar ka një mandat trevjeçar nga data e hyrjes në fuqi të Kartës, subjekt i rinovimit nga Kryetari i Bordit të Paqes. Ky afat trevjeçar nuk zbatohet për shtetet anëtare, të cilat kontribuojnë më shumë se një miliard dollarë amerikanë (1 000 000 000 USD) në fonde monetare (“cash”) brenda vitit të parë nga hyrja në fuqi e Kartës.
Anëtarësimi përfundon në rastin më të hershëm me: (i) përfundimin e një mandati trevjeçar, sipas nenit 2.2 (c) dhe rinovimit nga Kryetari; (ii) tërheqjen, sipas nenit 2.4; (iii) një vendim nga Kryetari, ose (iv) shpërbërjen e Bordit të Paqes në përputhje me kreun X. Megjithatë, një shtet i tillë mund të ftohet përsëri të bëhet shtet anëtar.
Bërja palë në këtë Kartë, që themelon Bordin e Paqes, do të shoqërohet me efekte financiare për Republikën e Shqipërisë, që do të derdhen në formën e kontributit vullnetar nga çdo shtet anëtar, shtete të tjera, organizata dhe burime të tjera, kosto këto që nuk janë parashikuar në këtë moment. Kontributi vullnetar që do të derdhë Republika e Shqipërisë do t’i shtohet buxhetit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2026, në programin buxhetor 01120 “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, në llogarinë ekonomike 605 “Kuota ndërkombëtare”. Nga ana tjetër, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të parashikojë koston financiare të këtij projektakti si pjesë e kërkesave buxhetore të saj, në kuadër të përgatitjes së PBA 2027-2029.
/abcnews.al/


