Drafti final për Reformën Zgjedhore, Murrizi: I njëanshëm, nuk do e çoni deri në fund!

schedule10:22 - 2 Korrik, 2020

schedule 10:22 - 2 Korrik, 2020

Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri i ka përcjellë më 1 korrik, Kuvendit draftin final për këtë reformë. Negociatat politike janë mbyllur me 30 qershor me disa ndryshime në amendamente.

Megjithatë, duke folur ditën e sotme nga foltorja e Kuvendit, deputeti i opozitës së re, Myslim Murrizi është shprehur se “pazari 21 prillit” nuk do të çohet deri në fund.

Po ashtu, Murrizi e ka quajtur draftin e përcjellë në Kuvend si të njëanshëm, ndërsa shtoi se është dërguar në mënyrë të fshehtë në 12 të natës.

Murrizi u shpreh: “Në mënyrë të njëanshme dhe të fshehtë, si në 17 maj në 12 natës, në mënyrë të njëanshme qenka depozituar një draft i njëanshëm në Komunitet të Partisë. Zoti Balla në të shkon në mend ty, Ramës, Lulit, Monikës e Metës, nëse keni në mend që me paratë e pista të blini opozitën parlamentare, për ta miratuar këtë çorbë të prishur, ju garantoj që nuk do ja dilni. Lërini pazaret e pista për trafikim votash në këtë sallë. Këta deputetë kandidojnë dhe për kryeplak dhe për drejtor me ju. Nuk do ju pinë ujë paratë. Nëse 39 deputetët që kanë firmosur me mua janë tërhequr, le të dalin këtu e të tregojnë fytyrën e tyre.”

Nga ana tjetër, kryeparlamentari Gramoz Ruçi u shpreh se drafti nuk është dërguar në orën 12 të natës, por në orën 14.00, brenda orarit zyrtar.

Ruçi u shpreh: “Kam 15 ditë që kam njoftuar mbarimin e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Çdo deputetet në këtë sallë ka të drejtë të sjellë nisma ligjore. Deputetët socialistë kanë sjellë një produkt që vjen si pasojë e një konsulte me opozitën parlamentare dhe jo parlamentare. Nuk është depozituar në Komitet të Partisë, dhe as në mesnatë, por brenda orarit zyrtar, në 14:00 në Protokollin e Kuvendit.” /abcnews.al/