Draft-raporti për Shqipërinë, Fleckenstein: Janë përmbushur 5 prioritetet kyçe

schedule15:30 - 11 Qershor, 2018

schedule 15:30 - 11 Qershor, 2018

Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian për Shqipërinë ka publikuar raportin mbi Shqipërinë, të cilin ia ka adresuar Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian. Sipas raportuesit për vendin tonë, Knut Fleckenstein, Shqipëria meriton çeljen pa kushte të negociatave por nga ana tjetër kërkon më shumë bashkëpunim nga palët politike për konsolidimin e reformave në vend.

Ky është draft-raporti që ka publikuar Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian për Shqipërinë. Raportuesi Knut Flekenshtein kërkon çeljen pa kushte të negociatave për Shqipërinë pasi ka përmbushur 5 prioritetet kyçe.

Në 35 pikat që i dërgohen Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, Fleckenstein rendit reformat e realizuara por kërkon gjthashtu dialog mes palëve politike në vend si një ndër pikat kyce për integrimin e Shqipërisë.

“Rithekson që dialogu konstruktiv politik, gatishmëria për kompromis dhe ruajtja e angazhimit të palëkundur në zbatimin dhe konsolidimin e reformave në të gjitha pesë prioritetet kyçe janë thelbësore për përpjekjet për të çuar përpara procesin e pranimit në BE”.

Vëmendja e qeverisë duhet të përqendrohet në reformën në drejtësi rekomandon eurodeputeti Knut Flekenstein. Pavarësisht se përshëndet përparimet e bëra, u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të përshpejtojnë procesin e verifikimit pa kompromentuar cilësinë ose drejtësinë.

“Përshëndet përditësimet e fundit të legjislacionit antikorrupsion të vendit; thekson nevojën për të përfunduar themelimin e Byrosë Kombëtare të Hetimeve, të Tribunalit Special dhe të Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; bën thirrje për përmirësim të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet policisë dhe prokurorisë; mirëpret rivlerësimin e personelit të zbatimit të ligjit në bazë të ligjit për verifikimin e policisë”.

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian lavdëroi përmirësimet e rëndësishme të bëra në kuadrin ligjor dhe institucional me qëllim parandalimin dhe zhdukjen e korrupsionit në institucionet publike. Ai bën thirrje për përpjekje shtesë për të reduktuar korrupsionin që ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve të Shqipërisë.

“Bëj thirrje për një vëmendje më të madhe që duhet t’i kushtohet korrupsionit politik dhe publik-privat dhe thekson se një rekord bindës mund të arrihet vetëm nëpërmjet hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në rastet e korrupsionit në të gjitha nivelet, duke përfshirë rastet e nivelit të lartë”.

Në draft-raport kërkohet nga autoritetet shqiptare që të ndërmarrin veprime vendimtare për të çmontuar rrjetet kriminale të përfshira në trafikimin e qenieve njerëzore, dhe të drogës dhe të rritet numri jo vetëm i hetimeve dhe ndjekjeve, por edhe i dënimeve përfundimtare.

Gjithashtu kërkohet zbatimi i të drejtave të pronësisë, të nxitet bashkëpunimi me sindikatat dhe shoqërinë civile, të krijohet klimë më e favorshme për biznesin, korrupsioni, mangësitë e sundimit të ligjit dhe procedurat e vështira rregulluese vazhdojnë të pengojnë investimet, shkruhet në draft-raport.

Vëmendje më të madhe duhet t’i kushtohet edhe korrupsionit politik dhe publik-privat. Një tjetër pikë që duhet trajtuar me përparësi nga autoritetet shqiptare është numri në rritje i azilkërkuesëve që kalojnë përmes Shqipërisë.

“Shpreh shqetësimin se Shqipëria mbetet vendi i Ballkanit Perëndimor nga i cili bëhet numri më i madh i hyrjeve dhe qëndrimeve të paligjshme dhe pretendimeve të pabazuara për azil në shtetet anëtare”./abcnews.al