Dosjet që u çuan te OVL-UÇK do të hetohen nga Prokuroria e Hagës, paralajmërohen arrestime

schedule18:13 - 11 Shtator, 2020

schedule 18:13 - 11 Shtator, 2020

Çështja e dosjeve që u dërguan në zyrat e Organizatës së Veteranëve, do të hetohen nga Prokuroria Speciale e Hagës.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se nuk do të merret me hetimin e rastit me dosjet, që u dërguan nga një i maskuar në zyrat e OVL – UCK’së në Prishtinë.

Sic bëhet e ditur në këtë njoftim, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është duke kryer hetime për këtë rast.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka pranuar pyetje të shumta nga mediat lidhur me hetimin rreth dërgimit të dokumenteve në Organizatën e Veteranëve të UÇK-së, të cilat dokumente potencialisht ndërlidhen me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Aktualisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është duke e hetuar këtë çështje. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, është e gatshme të asistojë, nëse diçka e tillë kërkohet”, thuhet në njoftim.

Këtë javë, zyra e OVL – UCK’së njoftoi se një person i maskuar ka lënë mijëra dosje që kanë të bëjnë me rastet me të cilat do të merret vetë Haga.

Prokuroria Speciale paralajmëron se zbulimi i dokumenteve dhe informatave për dëshmitarët mund të dënohet me burgim, sipas Kodit Penal të Kosovës.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton publikun që zbulimi i paautorizuar i dokumenteve konfidenciale ose informacionit lidhur me dëshmitarët e mbrojtur nënkupton shkelje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe mund të jetë e dënueshme me dënim me burgim”, përfundon njoftimi./m.v. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!