Dosja ndaj ish-kryeprokurorit Llalla, në dorë të Krimeve të Rënda

schedule11:06 - 11 Maj, 2018

schedule 11:06 - 11 Maj, 2018

Dosja me numër 477 është regjistruar nga Prokuroria e krimeve të Rënda për hetimet e nisura ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ish-kreu i Organit Qëndror të Akuzës po hetohet për katër vepra penale, ndërsa më herët ishte shpallur non grata nga SHBA bashkë me familjen e tij, si përfshirë në afera serioze korrupsioni.

Dosja në ngarkim të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla i kalon për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pas shpalljes së moskompetencës nga ana e prokurorisë lokale të Durrësit, ku kishte nisur fillimisht ky hetim, tashmë do të jenë prokurorët e Krimeve të Rënda që do të vijojnë me veprimet hetimore.

Pas regjistrimit të dosjes, mësohet se për fatin e Llallës do të vendosë prokurori Klodian Braho. Ky i fundit do të zhvilloje hetime për katër akuza ndaj ish-kryeprokurorit; pastrim parash, shpërdorim detyre, fshehje pasurie dhe mosdeklarim të të hollave në kufi.

Në 15 mars të këtij viti dosja në ngarkim të ish-kryeprokurorit Llalla i është dërguar nga komisioni i Pavarur i Kualifikimit Prokurorisë së rrethit gjyqësor Durrës me kërkesë të këtij insitucioni.

Pas dorëheqjes së Llallës KPK në 16 shkurt, vendosi për ndërprerjen e vettingun për ish-kryeprokurorin. Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla më 16 maj del përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në seancë dëgjimore publike për Vettingun, pas ankimimit të bërë nga Komisioneri Publik.

Ndërkohë Llalla dhe familja e tij është shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas dyshimeve të forta të përfshirjes në afera të forta korrupsioni gjatë kohës që ushtronte detyrën kreut të organit qendror të akuzës.  /abcnews.al