Dosja e Prokurorisë/ Pse u kërkua burg për Rexhep Rrajën, zbardhen kërcënimet

schedule15:44 - 1 Tetor, 2018

schedule 15:44 - 1 Tetor, 2018

Xhisiela Maloku ka përjetur një vit ankthi dhe frike, për shkak të konflikteve të vijueshme me ish-të dashurin e saj. “ABC News” ka siguruar një kopje të kërkesës së prokurorisë për dërgimin në qeli të Rexhep Rrajës, ku zbardhen kërcënimet me jetë drejt 25 vjeçares.

Xhisiela Maloku është përndjekur në mënyrë të vazhdueshme për një vit nga ish-i dashuri i saj, Rexhep Rraja dhe është kërcënuar me jetë prej tij. Detajet zbardhen në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës “arrest në burg” për djalin e deputetit, masë e miratuar në mungesë të shtunën nga Gjykata e Krujës dhe ekzekutuar nga policia.

“ABC News” ka siguruar një kopje të kërkesës së Prokurorisë, ku del në dritë tmerri i përjetuar nga 25 vjeçarja Maloku.

I tillë është kërcënimi drejt saj në 19 korrik vetëm për faktin se një shoqe i ka dërguar një sms në telefon.

Sipas Prokurorisë, pasi i ka thyer telefonin, Rexhep Rraja, e ka dërguar në dhomën e hotelit në rrugën e Rinasit. Pasi e ka goditur me shkelma i ka fikur cigaren në trup duke i thënë: “Trego ku do shkosh se do të të vras…këtu”.

Referuar dosjes, këto kërcënime i hetuari Rraja i ka vazhduar për pesëmbëdhjetë minuta duke i thënë viktimës “nuk do të të vras, do të të plagos…dua të vuash e jo të vdesësh direkt…”

Sipas të dhënave, Xhisiela Maloku ka pretenduar se një një përballje me ish-të dashurin Rexhep Rraja në Stacionin e Policisë Fushë-Krujë ai është orvatur ta dhunonte.

Sipas Prokurorisë, viktima është kanosur nëpërmjet rrjetit social Instagram nga ana e të hetuarit me një adresë profili false, por për shkak të këtij fakti, këto komunikime janë fshirë automatikisht më vonë nga rrjeti social.

Gjatë ripyetjes në prokurorinë e Krujës në 29 shtator Xhinsiela ka rrëfyer se përndjekja e saj nga Rraja kishte nisur në korrik 2017. Sipas saj, ai e ndalte në rrugë, i dilte përpara dhe e telefononte me numër të fshehtë dhe e detyronte të qëndronte me të dhe me asnjë tjetër.

“Pavarësisht se unë i kam thënë që nuk doja të vazhdoja lidhjen me të, por unë jam kthyer përsëri tek ai dhe për shkak të frikës dhe për shkak të dëshirës time”, ka pohuar e reja.

Në të njëjtën ditë, Rexhep Rraja, ka mohuar dyshimet e ngritura ndaj tij. Pasi është njohur me aktin e ekspetimi mjeko-ligjor ai ka pohuar se nuk kishte lidhje fare me këto dëmtime dhe se nuk e dinte se ku mund t’i ketë marrë Xhisiela ato.

Pas prangosjes Rexhep Rraja pritet të dalë për verifikim të masës së sigurisë në Gjykatës së Krujës paraditen e së martës.  /abcnews.al