Dosja CEZ-DIA, Gjykata e Tiranës merr vendimin për Kastriot Ismailajn

schedule19:46 - 25 Tetor, 2017

schedule 19:46 - 25 Tetor, 2017

Gjykata e Tiranës dënoi me 11 vjet burg ish-administratorin e DIA-s, Kastriot Ismailaj. Biznesmeni u shpall fajtor për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim parash”. Gjykata vendosi gjithashtu të kalojë në favor të shtetit disa llogari bankare të Ismailajt me një shumë totale prej rreth 4,5 milionë dollarë.
“Jam i pafajshëm”. Nga kafazi i xhamtë i sallës nr.8 të Gjykatës së Tiranës, biznesmeni Kastriot Ismailaj, iu përgjigj në këtë formë kërkesës së trupit gjykues për të thënë fjalën e tij të fundit.
15 minuta më vonë, tre gjyqtarët Vjollca Spahiu, Bedri Qori dhe Martin Deda dolën nga dhoma e këshillimit me një vendim përfundimtar.
Ish-administratori i DIA-s u shpall fajtor për akuzën e “mashtrimit me pasoja të rënda” e “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Ai u dënua me 11 vjet burg, nga 15 që kërkoi prokuroria në pretencë.
Verdikti final për një dekatë pas hekurave u prit me qetësi nga i pandehuri.
Në të njëjtin vendim, gjykata vendosi konfiskimin e disa llogarive të Ismailajt në banka të nivelit të dytë. Sipas gjykatës, në llogari të shtetit do të kalojnë shumat prej 3 milionë dollarë, 980 mijë dollarë, 451 mijë euro dhe 12 milionë lekë.
Seanca e së mërkurës, e 45-ta në radhë e procesit, nisi me tension për shkak të mungesës së dy avokatëve të zgjedhur nga Ismailaj. Biznesmeni u revoltua, kur gjykata i dha të drejtën e fjalën avokates së caktuar kryesisht për të, Elona Llorja. Pas një konsulte në kufinjtë e debatit, ai lejoi avokaten të lexonte një mbrojtje prej 34 faqesh, përmes të cilave kërkohej pafajësia e biznesmenit. Duke kërkuar pafajësi vetë i pandehuri theksoi para gjykatës se ishte i padënuar më parë, se ishte i arsimuar dhe një njeri familjar.
Sipas prokurorisë për Krimet e Rënda, Ismailaj ka përvetësuar 5 milionë euro gjatë marrëveshjes CEZ-DIA për mbledhjen e borxheve të CEZ. Organi i akuzës, pretendon se ai ka krijuar një mekanizën të tërë fiktiv duke prodhuar vetëm dokumente shkresore, pa bërë punë në terren. Të martën ai kërkoi rihapje të shqyrtimit gjyqësor, për shqyrtimin e 132 provave të reja, kërkesë që u refuzua nga gjykata.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!