Dosja 339, Arben Ndoka njihet me akuzën, pritet të thirret dhe Vangjush Dako

schedule21:26 - 25 Nëntor, 2019

schedule 21:26 - 25 Nëntor, 2019

Ish-deputeti i partisë socialiste Arben Ndoka është njohur me akuzat së bashku më 13 të dyshuar të tjerë, për akuzat për tjetërsim e përvetësim pronash në bregdetin e Lezhës.

Ky hetim është pjesë e dosjes 339, ndërsa në kuadër të hetimit për abuzim në zgjedhje, pjesë e dosjes 339/1, pritet të thirret sërish në prokurori ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako.

Prokuroria e Krimeve të Rënda mbyll hetimet për një nga grupet, pjesë e dosjes 339, që ka lidhje me abuzimin e pronave në Tale, Shëngjin dhe Rana e Hedhun. Pjesë e këtij grupi është dhe ish-deputeti i PS në Lezhë Arben Ndoka dhe disa prej familjarëve të tij, që kanë shërbyer si zyrtarë në Lezhë.

Ndoka dhe të pandehurit e tjerë u paraqitën në prokurori për t’u njohur me akuzat.  Në dalje nga prokuroria, ish-deputeti Socialist u shpreh se nuk kishte bërë asnjë deklarim, pasi nuk kishte avokatin mbrojtës.

Ish-deputeti u rikthye për herë të dytë në prokurori, tashmë me avokatin, ku është njohur me akuzat dhe ka sqaruar pozicionin e tij. I takon tashmë gjyqtarit të seancës paraprake të vendosë nëse kjo dosje do kalojë për gjykim apo do pushohen hetimet.

Që në krye të herës, avokati i Arben Ndoka, Maks Haxhia kishte deklaruar se klienti i tij nuk ishte përfshirë në çështjen e abuzimit të pronave.  Bashkë me Arben Ndokën, po hetohen edhe Gjevi Ndoka, Erald Osmaci, Bledar Cara, Bled Ndoka, Lule Zeneli dhe 8 të dyshuar të tjerë.

Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare të Lezhës. Veprat penale për të cilat akuzohen janë Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal si dhe kryerja e veprave penale nga grupi kriminal.

Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda vazhdon hetimet për 339/1 ku pritet që të rimerret në pyetje ish-Kryetari i Bashkisë Durrës Vangjush Dako.

Burimet kanë konfirmuar se Dako ka mohuar të këtë lidhje me grupin e Avdylajve dhe se është takuar me ta, si me çdo zgjedhës tjetër.

Por në përgjimet e bëra publike më herët në media, numri që përfundon me 300, e që dyshohet të jetë i Dakos, rezulton se ka shkëmbyer disa mesazhe me Jasin Avdylin, i cili i kërkon informacion në lidhje me një operacion të Forcave të ndërhyrjes së Shpejtë.

4 grupe kriminale u goditën me 22 tetor 2018, ku u  finalizua Mega Operacion i koduar “VOL-VO 4”, të shtirë në 12 qytete./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!