Dorëhiqet Valdrin Pjetri, s’merr detyrën në Shkodër

schedule16:30 - 15 Gusht, 2019

schedule 16:30 - 15 Gusht, 2019

Kryetari i zgjedhur i Bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri jep dorëheqjen. Pas dokumenteve të publikuara nga PD, se kishte fshehur një dënim për trafik droge në Itali, ai deklaroi sot se nuk do ta marrë detyrën, ndërsa për ngjarjen e vitit 2003 pretendon se nuk kishte dijeni.

Valdrin Pjetri nuk do ta marrë detyrën si kryebashkiak i Shkodrës.

Ende pa dalë konkluzioni i Prokurorisë Shqiptare, fituesi socialist deklaroi dorëheqjen.

Ngjarje që i ndërpreu karrierën, për Pjetrin është e pakuptimtë, dhe ai nuk ka gisht në trafikun  e drogës, gjë për të cilën është dënua në vitin 2003 në Itali.

“Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor. Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do të gjendesha përballë akuzave të tilla. Dhe sado i bindur të jem në pafajsinë ligjore dhe pastërtinë morale të personit tim, me keqardhje ju rrëfej se të tilla shpifje kanë shkaktuar dhimbje të mëdha te unë e familja ime dhe se unë kurrë nuk kam qenë pjesë e kësaj kategorie për të cilën sot akuzohem”.

 

Dy ditë pas publikimit të dënimit nga PD, dhe kur Edi Rama deklaroi ndarjen e tij nga PS, Pjetri komunikon vendimin e tij.

“Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë.  I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor t’ia ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër”.

Fjalët e fundit, jua dedikon qytetarëve të cilët, në kushte të tjera do t’i kishte qeverisur.

“Ishte një ëndërr e bukur t’i jepnim Shkodrës atë çka meriton. Por fatet e një qyteti nuk duhen të jenë kurrë të lidhura pashmangshmërisht me fatet e një individi, cilido qoftë ai”.

Tashmë ngelet për tu parë se çfarë do të ndodhë në 21 Gusht kur do të konstituohet këshilli i ri bashkiak i Shkodrës. Nëse ata do të lejojnë që Voltana Ademi të qëndrojë në zyrë, apo do të caktojnë një prej nënkryetarëve  të saj, si krryebashkiak të përkohshëm.

Ndërsa përsëritja e zgjedhjeve në këtë bashki, ngelet enigmë, kur Ilir Meta nuk i njeh pasojat e zgjedhjeve të 30 qershorit, dhe vetëm ai mund të caktojë një datë të re për  votime të pjesshme./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!