Donika Prela rikonfirmohet në detyrë

schedule09:27 - 5 Shkurt, 2019

schedule 09:27 - 5 Shkurt, 2019

Titullarja e komanduar e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Donika Prela, u shfaq krejtësisht e qetë në seancën ku do të vendosej vijimi apo ndërprerja e punës së saj në sistemin e drejtësisë.

Para se të lexonin verdiktin përmes të cilit e konfirmuan në detyrë, Komisioni sqaroi se shpallja e vendimit u shty nga 29 Janari në 5 Shkurt, për shkak të nevojës për verifikim të një denoncimi publik të bërë ndaj Prelës, i përcjellë përmes medias. Bëhet fjalë për dënoncimin e artikuluar edhe në selinë e Partisë Demokratike, ku pretendohej se në vitin 2018 Prela kishte liruar nga burgu Astrit Avdylin, i arrestuar aktualisht si anëtar i një grupi kriminal në Shijak.

Pas vendimit Prela mori një shtrëngim dore edhe nga vëzhguesi ndërkombëtar Teo Jacobs, që në seancën dëgjimore tha se dosja e saj i kishte lënë një shije të keqe. Në seancën e zhvilluar në 22 Janar, KPK konstatoi si problematikë për Prelën punësimin e bashkëshortit të saj inxhinier “në të zezë” në një firmë ndërtimi. KPK pretendoi se për disa vite me radhë ai ishte paguar me para në dorë, duke shmangur kështu pagesën e tatimeve dhe sigurimet shoqërore.

Por shpjegimet e dhëna më tej nga Prela duket se bindën Komisionin për të kundërtën. Komisioni nuk gjeti probleme në pastërtinë e figurës apo profesionalizimin e saj. Qetësia e treguar në fillim të seancës nuk u reflektua nga Prela në mbyllje të saj. Ajo  zgjodhi të mos komentojë dhe përgjigjet në do kandidojë për në SPAK.

Gjatë hetimit administrativ, në korrespondencën elektronike mes Prelës, KPK-së dhe ONM-së, kryeprokurorja e Krimeve i serviri vëzhguesve ndërkombëtarë edhe një informacion të kërkuar prej tyre për dosjen “Shullazi”. /abcnews.al