Donald Lu “gatuan” ëmbëlsira

schedule17:33 - 6 Shkurt, 2018

schedule 17:33 - 6 Shkurt, 2018

“Njerëzit të parët, rritja e turizmit përmes burimeve njerëzore të kualifikuara” është projekti dy-vjeçar që Ambasada Suedeze dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar po zbatojnë në Shqipëri. Ambasadori Donald Lu nxiti të rinjtë të aplikojnë për t’u trajnuar, ndërkohë që iu tregoi përvojën e tij.

U fol për kuzhinën, por menuja nuk përmbante peshk as të madh dhe as të vogël. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, këtë herë kishte ndryshuar shije. Ai iu tregoi të rinjve të trajnuar për kuzhinierë, kamarierë, recepsionistë apo udhërrëfyes turistik, përvojën e tij si furrtar.

Donald Lu: “Ishte viti im i parë në universitet dhe çdo ditë zgjohesha në orën 5:00 të mëngjesit dhe mësoja si të bëja bukë, biskota, torta dhe ëmbëlsira. Ishte një punë e mrekullueshme sepse gjithë dyqani i bukës mbante erën e këndshme të ëmbëlsirave dhe të bukës së freskët”.

Shumë kompani e kanë të vështirë të gjejnë punonjës të kualifikuar deklaroi diplomati amerikan, i cili nxiti të rinjtë të aplikojnë për t’u trajnuar.

Specialiteti i këtij kuzhinieri ngacmoi ministrin e Financave t’i bënte apel të rinjve të ktheheshin në grep për turistët.

Arben Ahmetaj: “Manuel, me rizoton tëndë të bërë mirë, amerikanët, suedezët, italianët, francezët austriakët apo kushdo qoftë, pasi ta kenë provuar vitin tjetër do i thonë miqve dhe për një rizoto tënden marrim dy turistë plus”.

Por jo të gjithë pëlqejnë të njëjtën gjë.

As tava e krapit nuk e ngacmoi Ambasadorin Shteteve të Bashkuara në Tiranë, i cili dëshiroi të mbante shijen e mirë të dyqanit të ëmbëlsirave edhe kur gazetarët kërkuan të dinin për peshkun e madh, të cilin e pati paralajmërur Nëntorin e vitit të shkuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!