Dokumentet: Ish-shefi i USAGM shpenzoi 1 milion për të hetuar personelin

schedule23:52 - 6 Mars, 2021

schedule 23:52 - 6 Mars, 2021

Agjencia Amerikane për Median Globale ka publikuar dokumente financiare që tregojnë se ish-shefi i saj i emëruar nga ish-presidenti Trump i ka paguar një kompanie ligjore më shumë se 1 milion dollarë për punë që përfshinin hetimin e stafit të USAGM.

Në një deklaratë të lëshuar të premten, USAGM tha se ka publikuar grupin e parë të kontratave dhe dokumenteve të vendimmarrjes dhe do të publikojë të dhëna të tjera bazuar në kërkesa të shumta të bëra nën Aktin e Lirisë së Informacionit (FOIA).

Sipas FOIA-s, publiku, mediat ose të tjerët mund të kërkojnë të dhëna nga agjencitë federale. Agjencitë mund të mbajnë disa informacione nën një sërë përjashtimesh që përfshijnë privatësinë personale dhe sigurinë kombëtare.

Të 107 faqet e botuara nga USAGM këtë javë përfshijnë korrespondencë dhe fatura me McGuireWoods, një firmë ligjore private e kontraktuar gjatë administrimit të ish-drejtorit ekzekutiv Michael Pack për të hetuar zyrtarët e USAGM-së dhe përfituesit e granteve të saj, përfshirë Zërin e Amerikës.

Zoti Pack dha dorëheqjen më 20 janar, disa orë pasi Presidenti Joe Biden mori detyrën.

Firma ligjore i faturoi USAGM-së më shumë se 1 milion dollarë gjatë periudhës tre-mujore të përmendur në dokumentet e publikuara. Kostoja totale mund të jetë më e lartë pasi më shumë fatura pritet të publikohen në javët e ardhshme.

Përdorimi i një firme të jashtme përmes një kontrate pa oferta konkurruese nga qeveria është “shumë e pazakontë”, tha David Seide, këshilltar juridik i Projektit për Llogaridhënie të Qeverisë (GAP).

Organizata jofitimprurëse, e krijuar për të mbrojtur sinjalizuesit dhe e cila përfaqësonte më shumë se 20 njerëz të agjencisë dhe Zërit të Amerikës në muajt e fundit, mirëpriti publikimin e dokumenteve.

GAP është ndër organizatat që ka kërkuar dokumente nga koha në të cilën Pack ishte shefi ekzekutiv i USAGM-së.

“Ne e përshëndesim agjencinë për kuptimin nga ana e tyre të nevojës për transparencë, duke e vendosur menjëherë këtë material në domenin publik”, i tha zoti Seide Zërit të Amerikës. “Shpresojmë dhe presim që agjencia të publikojë dokumente të tilla.”

Organizata jofitimprurëse, Transparency International, gjithashtu e përshkroi publikimin si një hap pozitiv.

“Në përgjithësi, unë mendoj se është e rëndësishme që publiku të kuptojë plotësisht se si veprojnë agjencitë, si shpenzohen paratë, cilat përparësi ndjekin agjencitë”, tha Gary Kalman, drejtori i zyrës në Shtetet e Bashkuara të organizatës Transparency International.

Dokumentet e publikuara tregojnë se firma ligjore McGuire Woods ka qenë ngarkuar me hetimin e ligjeve dhe rregulloreve, duke përfshirë murin ndarës (firewall) që parandalon ndërhyrjet editoriale dhe kontrollin e postimeve në media sociale, komunikimet e punonjësve, artikuj të lajmeve mbi zotin Pack dhe Fondin e Teknologjisë së Hapur, një raport të Inspektorit të Përgjithshëm të vitit 2015, si dhe një kërkesë për një raport të auditimit të Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm mbi postën elektronike të ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton.

Në një letër të 4 marsit drejtuar ligjvënësve dhe Zyrave të Këshilltarit Juridik Special dhe Inspektorit të Përgjithshëm, GAP tha se të dhënat tregojnë shenja të keqmenaxhimit, keqpërdorimit të parave të taksapaguesve dhe abuzim të autoritetit nga udhëheqja e mëparshme e agjencisë.

Të dhënat tregojnë se firma ishte punësuar nën një kontratë të vetme, pa oferta konkurruese, pa justifikimin e duhur, dhe se asnjëra kontratë nuk ishte bërë me afat kohor, të dyja këto janë në kundërshtim me ligjin federal të kontraktimit, thuhej në letrën e GAP-it.

GAP gjithashtu tha se hetimet nuk prodhuan asgjë për të justifikuar vendimin e zotit Pack për të vendosur stafin në pushim të detyruar administrativ, duke shtuar se Pack dhe ekipi i tij “u përpoqën t’i shmangen mbikëqyrjes dhe kontrolleve për të avancuar një agjendë partiake pa përfitim për publikun”.

Një zëdhënës i USAGM-së tha të premten se agjencia ka shqetësime në lidhje me veprimet e zotit Pack dhe ekipit të tij dhe e ka referuar çështjen te Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm.

“Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me këto dhe hetime të tjera”, i tha Zëri i Amerikës Laurie Moy, ushtruese e detyrës së drejtores për marrëdhëniet me publikun.

Zoti Pack nuk iu përgjigj një emaili dërguar kompanisë së tij private të prodhimit të filmave, në të cilin i kërkohej atij të komentonte për këtë çështje.

Në një intervistë muajin e kaluar, ish-shefi ekzekutiv i USAGM mbrojti veprimet e tij, duke thënë se ai gjeti të meta në çështjet e sigurisë dhe anshmëri politike në agjenci.

Kritikët e udhëheqjes së tij, duke përfshirë sinjalizues brenda agjencisë dhe anëtarë të Kongresit, kishin ngritur shqetësime mbi veprimet e zotit Pack pasi Senati e konfirmoi atë për të udhëhequr agjencinë në qershor të vitit 2020.

Zyra e Këshillit të Posaçëm Ligjor i kërkoi USAGM-së të kryejë hetime për të paktën dy ankesa të veçanta të sinjalizuesve. E para kishte të bënte me kontratën me firmën ligjore McGuireWoods dhe e dyta me ndërhyrjet editoriale në Zërin e Amerikës dhe pretendimet për abuzim të autoritetit. Në të dyja rastet, Zyra e Këshillit të Posaçëm Ligjor doli në përfundimin se kishte gjasa thelbësore për shkelje.

Drejtorja e Zërit të Amerikës për programet, Kelu Chao, e cila mori detyrën e drejtores ekzekutive kur zoti Pack dha dorëheqjen, ka ndryshuar shumë vendime të paraardhësit të saj. Zonja Chao në vitin 2020 dëshmoi si pjesë e një procesi gjyqësor rreth ndërhyrjes editoriale nga zoti Pack dhe ndihmësit e tij.

Që nga emërimi i zonjës Chao, zyrtarët e USAGM, të cilëve u ishte dhënë leje e detyrueshme, u rikthyen në pozicionet e tyre të mëparshme; OTF-ja ka rifilluar fondin e saj të përgjigjes së shpejtë që u detyrua të mbyllet vitin e kaluar; u rikthyen në detyrë drejtuesit e Radios Azia e Lirë (RFA), Radio Evropa e Lirë / Radio Liria (RFE / RL) dhe Rrjetet e Transmetimit të Lindjes së Mesme; dhe bordet e emëruar nga zoti Pack në muajin e tij të fundit si drejtor ekzekutiv janë shpërndarë.

Redaktorja menaxhuese e shërbimit në gjuhën urdu të Zërit të Amerikës, Tabinda Naeem, gjithashtu u rikthye në pozicionin e saj. USAGM e kishte shkarkuar zonjën Naeem pasi divizioni i saj publikoi një video ku shfaqej një reklamë e fushatës së zotit Biden që agjencia tha se nuk i përmbushte standardet editoriale.

Zonja Chao gjithashtu ia kaloi kontrollin mbi miratimin e vizave J-1 për gazetarët e huaj kreut të Zërit të Amerikës, një pozicion që mbahet aktualisht nga ish-drejtoresha e lajmeve të Zërit të Amerikës Yolanda Lopez. Ndërkaq, agjencia njoftoi në një takim të hapur për stafin muajin e kaluar se do të rifuste murin ndarës në politikën editoriale, të cilin zoti Pack e shfuqizoi në muajin tetor.

Disa ish-zyrtarë që morën pozicione në agjenci gjatë administratës Trump thonë se ndryshimet janë të motivuara politikisht.

Elizabeth Robbins tha se shkarkimi i saj si nëndrejtore e Zërit të Amerikës në janar, pas vetëm disa javësh në këtë rol, ishte i paligjshëm.

Në një intervistë me rrjetin konservator One America News Network, zonja Robbins tha se administrata e Presidentit Biden po përpiqej të politizonte Zërin e Amerikës.

Zëdhënësja e USAGM-it, Moy, i tha Zërit të Amerikës të premten se zonja Chao përdori autoritetin e saj si drejtore ekzekutive në detyrë për të rikthyer drejtuesit e rrjeteve dhe anëtarët e bordit dypartiak tek secila prej organizatave që përfitojnë nga fondet e agjencisë.

“[Zonja Chao] gjithashtu ka rikthyer në pozicionet e tyre të ligjshme drejtuesit e vjetër të hequr padrejtësisht, me përjashtim të një drejtuesi i cili (megjithëse ishte i mirëpritur të rikthehej) zgjodhi të dilte në pension”, tha zonja Moy përmes postës elektronike.

Ajo shtoi se kërkesat për viza janë verifikuar siç duhet dhe se agjencia po “respekton në mënyrë rigoroze të gjitha kërkesat ligjore statutore në lidhje me punësimin dhe preferencat për shtetasit amerikanë”.

Transparenca më e madhe, si publikimi i të dhënave të USAGM, mund të luajë një rol të rëndësishëm në besimin dhe llogaridhënien, tha Kalman.

“Ajo që ndodhi në Zërin e Amerikës ngriti disa pikëpyetje në lidhje me pavarësinë e agjencisë”, tha zoti Kalman, nga organizata Transparency International. “Rivendosja e këtij besimi duke thënë se ne po marrim një drejtim të ri dhe do të jemi transparentë për disa nga çështjet që u ngritën në të kaluarën, për të parë se si po trajtohen, mendoj se është me rëndësi të madhe”./VOA