Doganat bllokojnë 1.6 milionë litra gaz

schedule11:15 - 27 Shtator, 2019

schedule 11:15 - 27 Shtator, 2019

Bizneset e hidrokarbuareve vijojnë të jenë nën lupën e Tatimeve dhe Doganave.  Pas kontrolleve të ushtruara në terren Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bllokuar 1.6 milion litra gaz pasi subjekti rezultonte me 38 milion lekë detyrime të papaguara.

1.6 milion litra gaz i lëngshëm natyror nuk u lejuan të dalin në treg. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në bashkëpunim me Inspektoriatin Shtetëror Teknik dhe Industrial pas kontrolleve të ushtruara në terren e ka gjetur me shkelje.

“Subjekti kishte hedhur në qarkullim rreth 1.6 milionë litra gaz natyror të lëngshëm pa paguar detyrimet e akcizës. Në total, detyrimi i munguar dhe penaliteti i vendosur ndaj këtij subjekti arrin në shifrën prej 38 milionë lekësh ose përafërsisht 350 mijë euro”.

Ndërsa cilësia e produktit të hedhur për qarkullim sipas Kryeinspektorit Abrija linte për të dëshiruar.

 “Gjatë kontrollit të ushtruar nga ana jonë dhe pas modularëve të përgatitur nga drejtoritë e analizave respektive kemi konstatuar që një subjekt ka pasur shmangie cilësore, thyerjen e procedurave si dhe shmangien e fiskut. Menjëherë autoritetet kanë ndërvepruar me njëra-tjetrën duke identifikuar subjektin dhe duke e penalizuar atë për cilësinë e produktit, modalitetet, formën e shitjes së produktit”.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave sqaroi se Plani Operacional kundër informalitetit do të vijojë të zbatohet në bashkëpunim jo vetëm me ISHTI, por edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe strukturat e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, ndërsa u bëri thirrje të gjitha subjekteve të respektojnë detyrimet ligjore./ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!