Një pjesë e shqiptarëve kanë vendosur që natën e ndërrimit të viteve ta kalojnë jashtë atdheut në pikat turistike në rajon, por edhe Europë te familjarët apo miqtë e tyre. Por cilat janë masat anti-covid dhe kushtet e vendeve të rajonit për të kaluar doganën?
Sot ministria e Jashtme njoftoi masat e reja që ka vendosur Mali i Zi. Duke nisur nga 2 janari do të nisë aplikimi i masave të reja nga fqinji verior. Kështu, para se të niseni drejt Malit të Zi duhet të keni parasysh që për të kaluar kufirin duhet të jeni të pajisur me certifikatë vaksinimi të plotë me numrin e duhur të dozave.
Nga doza e dytë nuk duhen të kenë kaluar më shumë se gjashtë muaj. Po ashtu, lejohet kalimi në kufi nëse keni vërtetim që e keni kaluar Covid-19, jo më pak se 10 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë nga testi pozitiv. Në të dyja rastet qytetarët duhet të kenë patjetër ose testin negativ PCR jo më të vjetër se 72 orë, ose testin e shpejtë antigen jo më të vjetër se 48 orë.
Nëse vendosni që Vitin e Ri ta festoni në Kosovë mund të kaloni doganën vetëm nëse posedoni certifikatën e vaksinimit me dy doza kundër COVID-19, test negativ PCR apo dëshmi se personi ka kaluar COVID-19. Nga 3 janari i vitit të ardhshëm, për të gjithë personat që hyjnë në Kosovë do të vlejë vetëm pika e parë, ajo e vaksinimit me dy doza kundër COVID-19.
Të gjithë personat që drejtohen për në fqinjin jugor, pala greke kërkon test negativ të 48 orëve të fundit pavarësisht nëse kanë certifikatën e vaksinimit. Drejt Maqedonisë mund të udhëtoni me tampon negativ.
Italia në 14 Dhjetor mori masat para festave duke vendosur shtrëngim të lëvizjes. Të gjithë personat që duan të udhëtojnë nga Shqipëria përtej Adriatikut është i detyrueshëm tamponi negativ. Për ata që nuk janë të vaksinuar është e detyrueshme karantina, plus tamponi negativ. Hyrja lejohet vetëm për motive pune, shëndeti, studimi, urgjencë absolute, apo rikthim në banesën e rezidencës.
Dokumentacioni i nevojshëm që kërkohet për të shkuar në Itali:
Formulari “Passenger Locator Form” në format digjital ose në kopje fizike.
Testi me rezultat negativ molekular (PCR) të kryer 72 orë përpara udhëtimit ose test antigjenik 24 orë përpara udhëtimit.
Qytetarët i nënshtrohen izolimit në mirëbesim prej 10 ditësh në adresën e deklaruar në “Passenger Locator Form”.
Rregullat e mësipërme për udhëtimet janë të vlefshme deri më 31 janar 2022.
/ Abcnews.al