Djegia e gruas nga bashkëshorti në Korçë/ Psikologia: S’ka sistem parandalimi dhe rehabilitimi. Softa: Të rikthehet dënimi me vdekje

schedule23:48 - 2 Shtator, 2024

schedule 23:48 - 2 Shtator, 2024

Ngjarja e ndodhur të shtunën e kaluar në Korçë, ku Bledar Trëndafili leu me benzinë bashkëshorten e tij, Melisa Trëndafili, me të cilën ishte në proces divorci, dhe më pas i vuri flakën, u komentua mbrëmjen e së hënës në “Ora e fundit”, me të ftuar psikologen Denada Toçe dhe ekspertin e sigurisë, Fatjon Softa.

Psikologia thotë se ngjarje të tilla vijnë si pasojë e mentalitetit, ku burri e konsideron gruan si një pronë, por edhe pandëshkueshmërisë së rasteve të tilla të dhunës, që janë të shpeshta. Ajo thotë se në vendin tonë nuk ka as sistem rehabilitimi për persona që kanë probleme dhe as parandalimi.

Eksperti Softa thotë se me rastin e Korçës, nuk kemi të bëjmë vetëm me dhunë, por me vrasje me dashje të mbetur në tentativë. Sipas tij, për ngjarje të tilla, duhet të rikthehet dënimi me vdekje.

Pjesë nga diskutimi:

Denada Toçe: Ajo që më së shumti konstatohet nga situata të kësaj natyre, që janë të përsëritura vazhdimisht, sidomos para se të ndodhë divorci ose gjatë divorcit ku ende nuk kalohen këto konfliktet emocionale, ndonjëherë agravohen më shumë. Sidomos pas post ndarjes, konstatohet një parehati e madhe emocionale, sidomos te figura mashkullore. Kjo për shkak se një nga shkaqet që konstatohet është humbja e kontrollit. Është  e vështirë që në një familje shqiptare, në këto sjellje kulturore, t’i jepet prioritet çështjes së pronësisë dhe përkatësisë, ta quash si e jotja dhe pse është kundër vullnetit të partnerit. Kjo jep një pushtet në vetvete dhe ky maskilizëm toksik që e shoqëron mashkullin shqiptar me mentalitet arkaik se femra të përket, kthehet në një kontroll kaq të madh sa humbja e kësaj është humbja e pushtetit dhe kjo krijon shok të madh për mashkullin. Kjo përkthehet në ankth të fortë, në episode depresioni të forta, luhatje të forta të humorit dhe kjo sjell veprime  agresive. Frustimi kaq i madh kërkon çlirimin e agresivitetit, që shprehet në forma të ndryshme, në dhunë publike, familjare, në sy të fëmijëve.

Fatjon Softa: Ngjarje tronditëse. Rastet për shkak të dhunës janë në rritje. Kjo nuk është dhunë, por vrasje me dashje e mbetur në tentativë sepse ai veprimin e kreu, i vuri zjarrin. Fatmirësisht një zonjë i ka hequr rrobat dhe sot është nën kujdesin e mjekëve. Kjo pati reagim por mbetemi vetem këtu. Fenomene të tilla s’po ndalohen dhe këto elemente të dhunës nuk përfundojnë këtu. Këtu nisin, do të prodhojnë përsëri dhunë. Familjaret duhet të kërkojnë drejtësi.

Denada Toçe: Nuk njoh një sistem të mirëfilltë të këtyre njerëzve që mund të kenë çrregullime mendore, të patrajtuara që janë aty. Këtë e ka treguar tashmë historia se kemi raste të tilla dhe është tregues se kemi problemin e rehabilitimit dhe sistemin e parandalimit.

Fatjon Softa: Ka ardhur koha të kthehet dënimi me vdekje, sepse disa vepra penale të rënda nuk kanë zgjidhur probleme izolimi. Ka ndodhur se kur i kanë izoluar, gradualisht kanë zbritur edhe masat e dënimit./abcnews.al