Kjo është tabela që është vendosur në afërsi të vendkalimit kufitar Bllacë. Siç duket qartë mbishkrimi është vendosur në maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht, por jo në gjuhën shqipe.
Konkretisht tabela është vendosur afër rethrrotullimeve të 2 kilometërshit të parë të autostradë Bllacë-Shkup.
Tendenca për ta hequr gjuhën shqipe nga përdorimi, ka nisur që me ardhjen e Qeverisë së re të VMRO-DPMNE. Tabelat ku shkruhet “republika e Maqedonisë së Veriut” në tre gjuhët janë vënë nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore”.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski ka caktuar mbledhje ku do të shqyrtohet për shfuqizimin e tre neneve të gjuhës shqipe nga Ligji për zbatimin e gjuhëve.
Sipas ligjit kushtetues të Maqedonisë së Veriut në të gjitha organet e pushtetit shtetërorë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizata dhe ente, komisione, persona juridik që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucione tjera, gjuhë zyrtare përveç gjuhës maqedonase është edhe alfabeti dhe gjuha që flasin 20% e qytetarëve të vendit, që është shqipja.
Po ashtu në ligj thuhet se në vendkalimet kufitare të Republikës së Maqedonisë si dhe aeroportet, titujt e institucioneve, mbishkrimet tjera dhe udhërrëfyesit shkruhen në gjuhë maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik si dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabetin e tyre, në gjuhën shqipe./abcnews.al