Akti i fundit, më i rëndësishmi! Superiorja ka garë edhe sot, kur zhvillohen pesë ndeshje prej orës 17:00 dhe FSHF është detyruar të bëjë gati tre trofe. Matematikisht në lojë janë Teuta, Vllaznia, Partizani dhe Laçi.
Durrsakët janë më të favorizuar. Luajnë kundër Apolonisë dhe u duhet të fitojnë të paktën me të njëjtën diferencë me Vllazninë, për të ngritur trofeun pas 27 vitesh. Shkodranët nga ana tjetër përballen me Laçin, në “Loro Boriçi”.
E vetmja shëtitje sot është Tirana-Skënderbeu, pasi dy skuadrat nuk kanë më asnjë objektiv. Ndryshe është situata për Kastriotin, që përballet në “Air Albania” me Kukësin dhe tre pikët i çojnë në “play out”.
Partizani luan në Ballsh dhe do tentojë fitoren, për të shpresuar në ndonjë surprizë të Apolonisë kundër Teutës, si dhe në ndalimin e Vllaznisë me Laçin. Nga ana tjetër edhe Bylisit i duhen tre pikët, por qëndrimi i tyre në Superiore varet nga rezultati i Kastriotit. / abcnews.al