Dita e fundit e raundit vendimtar për themeluesin e Wikileaks, Julian Assange

schedule08:23 - 21 Shkurt, 2024

schedule 08:23 - 21 Shkurt, 2024

Themeluesi i Wikileaks kërkon të pengojë ekstradimin në SHBA në një procedurë të fundit gjyqësore në Britaninë e Madhe. Nuk dihet, nëse gjyqtarët në Londër do të japin pëlqimin për këtë.

Këtë të mërkurë kalon në ditën e dytë procesi juridik vendimtar për ekstradimin ose jo të e themeluesit të Wikileaks, Julian Assange në SHBA. Pasi të martën avokatët paraqitën argumentet e tyre para Gjykatës së Lartë, në Londër, të mërkurën e ka radhën pala kundërshtare amerikane. Nuk dihet, se kur merret vendimi. Pritet që vendimi të mos jepet menjëherë pas ditës së dytë të seancës dëgjimore.

Për Julian Assange seanca dyditore është mundësia e fundit  për të penguar ekstradimin në SHBA para gjykatave britanike. Ai shpreson në një proces juridik të plotë.

Nëse Assange dështon në këtë proces, merr fund rruga ligjore në Britaninë e Madhe. Atëherë mbetet për të mundësia e daljes para Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Por bashkëshortja, Stella Assange trembet, se ai brenda pak ditësh mund të dërgohet në SHBA. Ajo paralajmëron, se Assange mund të kryejë vetëvrasje.

Avokatët e Assange: Hakmarrje e Uashingtonit

Australiani, Julian Assange kërcënohet nga 175 vite burg. Qeveria amerikane kërkon t’i bëjë atij procesin gjyqësor në SHBA. Uashingtoni e akuzon Assange, se së bashku me investiguesen tjetër, Chelsea Manning vodhën dokumente sekrete nga misionet ushtarake amerikane në Irak dhe Afganistan, i publikuan ato duke rrezikuar jetën e informantëve amerikanë. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mathew Miller nuk u shpreh të martën për rastin Assange drejtpërdrejt.

I pyetur nga një reporter, nëse Assange është gazetar, ai tha, se “nuk është punë legjitime gazetareske” që të “hakerosh diku për të vjedhur informacione shtetërore”, ose të ndihmosh për këtë. E mbështesim punën e shtypit të lirë kudo në botë, tha Miller.

Nga ana e tyre, avokatët e Assange shohin në përndjekjen e themeluesit të Wikileaks një veprim hakmarrës të Uashingtonit, sepse Wikileaks bëri publikime për krime lufte. Për lirimin e Julian Assange angazhohen organizata për lirinë e shtypit e të drejtat e njeriut në të gjithë botën./DW/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!