Dita e Dëshmorëve/ Meta, Ruçi e Rama bashkë për homazhe

schedule14:55 - 5 Maj, 2018

schedule 14:55 - 5 Maj, 2018

Dita e përkujtimit të dëshmorëve bëri bashkë Presidentin Ilir Meta, kryeparlamentari Gramoz Ruçi dhe kryeministrin Edi Rama. Ndërsa kryeopozitari Lulzim Basha paralajmëroi një ligj për ndalimin e simboleve të komunizmit.

Edhe këtë 5 maj homazhet në varrezat “Dëshmorët e Kombit” bënë bashkë drejtuesit e shtetit.

Njëri pas tjetrit Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi vendosën kurora dhe u përkulën para monumentit “Nënë Shqipëri në nderim të të rënëve për lirinë e Atdheut.

Përkujtimores iu bashkua ministrja e Mbrojtjes dhe kryebashkiaku i Tiranës si dhe deputetë të Kuvendit. Nuk mund të mungonte kryeopozitari Lulzim Basha.

Kryeministri Rama zgjodhi të mos dalë para mikrofonëve. Ndryshe ndodhi me kreun e shtetit. Presidenti Meta nderoi kujtimin e dëshmorëve, duke iu dhënë merita për fazën aktuale në të cilën ndodhët vendi.

“Ishte kënaqësi të takoheshim edhe me përfaqësuesit e familjeve të dëshmorëve. Natyrisht ata janë kaq të shumtë, por të gjithë bashkë i bashkon përjetësia në nderim të asaj që kanë bërë për çlirimin e vendit, për 29 Nëntorin, që e vendosi Shqipërinë në anën e drejtë të historisë. Dhe jo vetëm riktheu 28 Nëntorin, që humbën më 7 prill, por njëkohësisht edhe ka bërë të mundur që Shqipëria sot të jetë edhe anëtare e NATO-s, por pse jo, edhe të ketë një perspektivë shumë të mirë edhe për çeljen e negociatave për anëtarsimin në Bashkimin Evropian, pasi ishin ata që përcaktuan gjithashtu rrugën evropiane të Shqipërisë, ashtu sikurse edhe Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.”

Kreu i opozitës paralajmëroi dërgimin në parlament të një ligji për ndalimin e simboleve të komunizmit.

“PD është e angazhuar të çoj në Parlament ligjin për ndalimin e simboleve të komunizmit, dekomunistizimin e Shqipërisë,për të bërë të qartë se kurrë më nuk do të pranojmë rikthimin e të shkuarës së përgjakshme dhe të dhimbshme për të cilën shqiptarët kanë paguar çmimin më të shtrenjtë në Europë dhe kjo do të nisë me ndalimin e simboleve të komunizmit dhe portretit të gjakatarit Enver Hoxha.

Ai bëri një qasje mes sakrificës së dëshmorëve për liri dhe për luftën për liri që duhet të bëjnë shqiptarët, sipas tij, në ditët e sotme.

“Nderojmë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë kundër pushtuesve dhe persekutorvë komunistë. Nderojmë sot Azem Hajdarin dhe heronj të tjerë. Është një ditë nderimi, është dita për t’i kujtuar njëri -tjetrit se liria fitohet e mbrohet çdo ditë, se ditën që nuk luftojmë më për liri rrezikojmë ta humbim atë. Thirrja ime sot është të vazhdojmë ditë për ditë betejën tonë për lirinë e kërcënuar nga diktatura dhe tirania e krimit, autokracia që shkel ligjin për interesa private dhe personale të pushtetit, liria nga tirania e varfërisë, korrupsionit që zhvat dhe shkatërron pasuritë e vendit liria nga tirania dhe autokracia që shkel ligjin për interesa të pushteteve”.

Në homazhe morën pjesë edhe përfaqësues të trupit diplomatik. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!