Dita e Dëshmorëve, u përkujtua me ceremoni dhe vendosje kurorash me lule në varrezat e dëshmorëve të luftës në shumë qytete të vendit.
Në Fier, në ceremoninë përkujtimore ishin pjesëmarrës autoritetet vendore si edhe deputetët socialist të qarkut.
Drejtuesja politike e PS për qarkun, Belinda Balluku tha për mediat se kjo ditë, përtej aktit heroik të dëshmorëve, përcjell mesazhin e atdhedashurisë si vlera më e lartë shoqërore.
Edhe Vlora përkujtoi Ditën e Dëshmorëve me homazhe dhe thirrje për reflektim.
Përfaqësues të pushtetit lokal dhe qendror, qytetarë si dhe familjarë të dëshmorëve kanë nderuar ata që dhanë jetën për liri, duke vendosur kurora me lule, në një ceremoni që përsëritet çdo vit.
Mirënjohja për ata që sakrifikuan për lirinë u shpreh në ceremoninë që u mbajt edhe në Librazhd.
Homazhet u zhvilluan pranë lapidarit të qytetit.
Në varrezat e qytetit të Krujës gjithashtu u zhvillua ceremonia e rastit.
Këtë 5 maj, organizata e veteranëve organizoi homazhe në ditën e dëshmorëve, ndërsa në varrezat e qytetit u vendosën kurora nga përfaqësues të bashkisë së Krujës.


