Në ditën e 14 të protestës ishin më të shumtë në numër. U mblodhën nëpër fakultetet përkatëse e në rrugëtimin drejt Kryeministrisë, bllokuan disa nga segmentet rrugore të kryeqytetit. Ora 11:30 i gjeti të grupuar para Kryeministrisë me qëndrimin e njohur se nuk do kishte dialog me Kryeministrin pa u përmbushur kërkesat e tyre.
“Dialogu në këtë moment nuk ka fare kuptim, nuk ka as sens, nuk ka për të ndodhur”, tha një studente.
“Nëse ai nuk plotëson këto 8 pika ne kemi për të shtuar të tjera që populli të vijë këtu me ne”, u shpeh një tjetër.
“Nëse nga fundi i javës ne sërish nuk marrim përgjigje, sigurisht do të organizohemi dhe do krijojmë një komision greve dhe padyshim studentët do të futen në grevë urie”, tha një student tjetër.
“Për çfarë duhet të bëhet dialog, kur ne kemi thjesht kërkesa të qarta. Ai duhet t’i pranojë ose jo”, theksoi një qytetar tjetër.
Por nuk ishin të vetëm. U ishin bashkuar edhe prindër e qytetarë të tjerë. Mes tyre edhe mbështetës të opozitës
“Kam gocat studente dhe normalisht dua t’i mbështes ato. Plus problemet e tjera që kemi”, u shpreh një qytetar.
“Jam këtu krah për krah me të gjithë studentët, me të gjithë ata njerëz që nuk kanë zë për të folur ose kanë frikë të flasin hapur dhe unë jam këtu prej tyre. Edhe për ata mësues që kanë frikë të dalin në protestë”, tha një tjetër.
“Jam mbesa e Martin Camajt. Kam këtu qysh ditën e parë dhe jam deri në ditën e fundit. Përkrah studentët, dhe jam me studentët”, tha një qytetare.
“Ndjek politikën bolshevike përça dhe sundo. E sheh me studentët se çfarë bën. Ne dy herë nga ka përça me shpërblimet e ndryshme dhe kemi mbetur një ajkë shumë e vogël e minatorëve. Kështu do ndodhë dhe me këta, ishalla jo”, u shpreh një minator.
Përbërja heterogjene solli edhe ndryshim në mënyrën e të protestuarit. Në fillim u lëshuan tymuese drejt godinës së qeverisë, duke sjellë një reagim pakënaqësie nga studentët.
Nuk mungoi edhe përplasja me policinë e një grupi protestuesish të cilët tentuan t’i afrohen selisë së kryeministrisë. Por situata u normalizua në pak minuta dhe protesta vijoi e qetë deri në mbylljen e saj, siç ishte paralajmëruar në orën 14:30./abcnews.al