Dita Botërore e Shtypit, Rama: Në Shqipëri s’ka media të intimiduara por ka shumë viktima të shpifjeve

schedule12:01 - 3 Maj, 2022

schedule 12:01 - 3 Maj, 2022

Në Ditën Botërore të Shtypit kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer kritikat dhe akuzat ndaj medias në vend. Në një postim në llogarinë e tij në Twitter, kreu i qeverisë thotë se në Shqipëri nuk ka media të intimiduara apo gazetarë që u pengohet liria. Sipas tij, përkundrazi, në vend ka gjithnjë e më shumë “viktima të shpifjeve e gënjeshtrave e lajmeve të rreme.”

E parë nga këndvështrimi i kryeministrit, situata është kjo: gazetarët shqiptarë nuk kanë qenë ndonjëherë viktima të dhunës policore, ata që kritikojnë qeverinë nuk përballen me sulme politike dhe për vetërregullim etik nuk mund të bëhet fjalë. Sipas tij, ankesat për mungesën e lirisë vijnë pasi “me lirinë s’dimë ç’të bëjmë.”

Në përfundim të fjalës së tij kreu i qeverisë thotë se e di që opinioni që sapo ka shprehur do të merret si sulm apo presion, por shton se nuk mund të heshtë ndërsa “disa tallen me lirinë e fjalës dhe ndërsa liria e shtypit kthehet në lirinë e shtypjes.”

EDI RAMA NË TWITTER

“Në Shqipëri s’ka as media të intimiduar, as gazetarë të penguar në lirinë e tyre. Madje në Shqipëri ka gjithnjë e më shumë viktima të shpifjeve, gënjeshtrave e lajmeve të rreme! Flitet për gjyqe me gazetarë, kur në fakt s’ka! Flitet për ligjin antishpifje kur në fakt s’ekziston!”

Gazetarët viktima të dhunës policore në Shqipëri? Çfarë gënjeshtre! Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme politike? Çfarë fantazie! Vetërregullim etik në median shqiptare? Çfarë talljeje! Vetëm titulli mungon:  Ankesa për mungesën e lirisë ngaqë s’dimë ç’të bëjmë me lirinë!

E di që edhe ky opinion i imi do klasifikohet si sulm, presion, agresion kundër mediave, por e kam të pamundur të hesht kur shoh se si tallen disa me lirinë e fjalës dhe se si liria e shtypit bëhet liri e shtypjes, duke shkelur mbi faktet, njerëzit dhe vendin, në emër të saj!” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!