Dinamo dhe Egnatia janë shpallur kampione në grupet e tyre në Kategorinë e Parë, ndërkohë që do kërkojnë trofeun e madh në finalen që zhvillohet mes tyre. Rikthimi në elitë i këtyre dy skuadrave ka bërë që të reagojë edhe kreu i FSHF, Armand Duka.
“Urime Dinamo, urime Egnatia! Të dashur miq, Në emër të Federatës së Futbollit dua t’i shpreh urimet më të përzemërta Dinamos dhe Egnatias për suksesin e arritur në Kategorinë e Parë, e cila u kurorëzua me ngjitjen në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm.
Sukses që duhet t’ju bëjë krenar për punën e zhvilluar gjatë këtij edicioni futbollistik. Kjo arritje është e qartë që vjen pas një pune të madhe, investimi të rëndësishëm dhe sakrifice nga të gjithë lojtarët, stafet teknike dhe drejtuesit e klubeve.
Përpara keni një finale që do shpallë skuadrën kampione të Kategorisë së Parë. Festimi i kësaj arritjeje duhet t’ju japë forcë për të punuar më shumë, për të programuar në mënyrën më të mirë edicionin e ri dhe për t’u përmirësuar më shumë cilësinë sportive në të mirën e klubeve tuaja dhe gjithë futbollit shqiptar.
Gjithashtu, më gëzon fakti që Dinamo dhe Egnatia kanë projekte ambicioze në infrastrukturë për të ardhmen që janë të domosdoshme për zhvillimin e futbollit shqiptar dhe si projekt afatgjatë për të qëndruar në elitën e futbollit”, shkruan Duka në rrjetet sociale. / abcnews.al