Dilaver: Vllaznia me ide të qarta, ta çojmë në fund atë që kemi nisur

schedule16:31 - 23 Prill, 2021

schedule 16:31 - 23 Prill, 2021

Haris Dilaver, sulmuesi i Vllaznia, në prag të ndeshje më Skënderbeun ka deklaruar për mediat: “Është e vërtetë që në disa ndeshje nuk kemi kaluar një formë të mirë sportive, diku për gjendjen tonë, diku për terrenet e vështira ku jemi stërvitur. Fatmirësisht jemi rikthyer dhe e kemi gjetur sërish veten dhe mendoj se e rëndësishme është të ecim kështu përpara.

Sigurisht që nuk jam krejt i kënaqur me veten, por kam provuar të jap maksimumin tim në çdo ndeshje. Më e rëndësishme është që ekipi po ecën mirë, ka mbërritur në finalen e Kupës dhe po ashtu ka edhe pretendimet e tij në kampionat”.

“Ne çdo ndeshje e marrim seriozisht dhe futemi në fushë me idenë e qartë për ta fituar atë. Kështu do të ndodhë edhe këtë herë, teksa do të kërkojmë të marrim maksimumin. Skënderbeu ka në radhët e tij lojtarë me kualitet dhe po ashtu ky ekip kohët e fundit ka kaluar një gjendje të mirë, pasi kanë marrë jo pak rezultate pozitive.

Gjithsesi ne do të bëjmë punën tonë. Sigurisht që kurrë nuk mund të thuash që fitorja është e sigurt. Vllaznia do të bëjë çmos për ta fituar këtë ndeshje e të marrë tre pikë, pasi do të vazhdonim me të njëjtin ritëm deri në fund të kampionatit.

Jam shumë i lumtur që jam bërë edhe me vajzë dhe kjo më ka gëzuar pamasë. Njëkohësisht është një shtysë më tepër për të bërë më mirë në fushën e lojës që kjo të jetë një dhuratë për fëmijën tim. Ne jemi të lumtur këtu, me ambientin, njerëzit dhe gjithçka që na rrethon. Kemi marrë shumë vlerësime prej tyre dhe për rrjedhojë jemi të vendosur për ta çuar deri në fund atë që kemi nisur”. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!