Dilaver shënjestron Partizanin: Uroj t’u shënoj sërish, por Vllaznia vjen e para

schedule14:51 - 30 Janar, 2021

schedule 14:51 - 30 Janar, 2021

Haris Dilaver për herë të fundit i ka shënuar Partizanit, tetë javë më parë. Sulmuesi boshnjak foli për mungesën e golit në konferencën e sotme, ndërkohë që shpreson që të realizojë sërish dhe prania para mediave t’i sjellë fat si para sfidës së parë në “Loro Boriçi” kundër të kuqve.

“Është e vërtetë që nuk kam shënuar gola kohët e fundit, por nuk jam këtu të realizoj gola për vete por t’i shërbej Vllaznisë. Ju kërkoj ndjesë për këtë. Është e rëndësishme që ekipi luan mirë, të renditemi të parët dhe të ruajmë diferencën e pikëve. Besojmë se mund të arrijmë gjithçka të madhe.

Ne nuk mund të zhgënjemë trajnerin, pasi na ka dhënë besimin e tij. Zbatojmë urdhrat e tij dhe ndonjëherë i kapërcejmë kapacitetet tona. Ai e meriton, pasi përkushtohet që ne të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje që kemi.

Rëndësi ka që jemi të parët. Nëse unë do të shënojë 15 gola dhe do të ishim në vend të fundit, nuk besoj se ju do të ishit të kënaqur. Kemi shembullin konkret, Vllaznia është e para, jemi të shkëputur me 9 pikë dhe unë nuk kam shënuar gola.

Gjithsesi ka realizuar Ardit Hoxhaj dhe është shënuesi më i mirë. Unë jam shumë i kënaqur për të, pasi kemi luajtur mirë dhe jemi të parët. Gjithashtu mundohemi të gëzojmë tifozët, që i përshëndesim përzemërsisht”, tha fillimisht Dilaver.

Më tej, kur i kujtohet që konferenca e shkuar i kishte sjellë fat para Partizanit, sulmuesi shtoi: “Shpresoj dhe ju lumtë goja. Uroj të përsëritet i njëjti faj. Do bëj maksimumin, siç kam bërë çdo ndeshje, dhe do mundohem të mos ju zhgënjej. Ne e dimë që Partizani është një ekip i fortë dhe nuk do të jetë ndeshje e lehtë.

Gjithsesi kemi edhe ne pikat tona të forta dhe lojtarë cilësorë, të cilët mund të bëjnë edhe diferencën. Shpresojmë të fitojmë.  Kemi marrë edhe disa lojtarë cilësorë, të cilët i kam parë vetë në fushë. Kjo rrit konkurrencën dhe është gjë e mirë. Mendoj se nga prurjet e reja do të kemi edhe suksese. Ju premtoj dhe do mundohemi që nesër të fitojmë dhe të sjellim tre pikë të rëndësishme”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!