Dikush ka humbur, Ramushi e kërkon në Tiranë

schedule14:45 - 20 Tetor, 2023

schedule 14:45 - 20 Tetor, 2023

Nga Frrok Çupi

Të gjithë, lepujt dhe luanët dolën nga strofka në Prishtinë. Po ndihet era e tymit.

‘Luani’ u nis për në Tiranë, ndërsa ‘kafshët e vogla’ morën avionët: Dikush në Londër, dikush në Zagreb, dikush në Ankara. Ndërsa Bislimi u nis për në Paris…

Bislimi që është përqeshur deri më sot si ‘pet’ i qeverisë së Kosovës, doli më trimi. Ai, si nën kryeministër, i shkoi direkt turbinës së ciklonit, drejt Parisit. Franca është armiku i fundit i qeverisë Kurti në Kosovë. Më parë kishte qenë armik Beogradi, e pastaj me radhë: Roma, Vishegradi, Madridi, Uashingtoni, Tirana…, ndërsa tani është shpallur armik Parisi. Edhe sikur të nisë t’i numërojë armiqtë, qeveria e Kosovës do të mbetet që nga mbrëmja në mëngjes duke prurë nëpër duar numra. Të gjithë armiqtë i ka krijuar në fantazitë pas vitit 2021.

Tani qeveria e Kosovës ka dy simbole të vizatuara, të dyja me teknikën e vijave ose të shkopinjve: Simbolin e Nazizmit si kryq i thyer , ose simbolin e Vetëvendosjes, me dy ‘VV’. Për qeverinë Kurti ka ose armiq të egër, ose miq të ngushtë anëtar të VV. Parisi po zëvendëson Berlinin e Luftës së Dytë Botërore, me siguri ‘shkenca‘ e Kurtit do të shpallë se Nazizmi e kishte qendrën në Paris, jo në Berlin.

Truri fantazist dhe i sëmurë i kryeministrit të Kosovës e akuzoi presidentin e Francës se ‘e përkthen keq’ gjuhën frënge kur flet për Kosovën. Më parë kishte akuzuar Uashingtonin se sekretari i Shtetit i SHBA është , ‘një naiv’, domethënë budalla. Brukselin e kishte quajtur ‘hileqar’ ndaj Kosovës.

Tani Kurti i ka lëshuar të gjithë ‘lepujt’ drejt kryeqyteteve të Perëndimit, jo për të bërë ndonjë punë, por për të kërkuar hesap. Besnik Bislimi në Paris do të kërkojë ‘pse Presidenti Macron ‘gabimisht’ tha se regjimi i vizave për Kosovën nuk do të hapet’. Më së shumti Bislimi do të kërkojë llogari pse ‘mbreti’ i Francës tha se Kosova nuk mund të ketë regjim pa viza përderisa ‘qeveria nuk e mban fjalën’.

Për herë të parë, qeveria Kurti reagon kaq fort ndaj kualiteteve të veta; të gjithë e kanë kapur Albinin, mijëra herë, në mashtrime. Tani nuk i beson Perëndimi. ‘Et Voilâ’, shkroi ministre Gërvalla, duke e sfiduar Francën sikur ‘Punë e madhe…, ja ku jemi!’.

Nëse qeveria e Francës nuk i bie në gjunjë Bislimit për ‘gabimin e saj’, atëherë ndihmësi i Kurtit do të shtrojë xhaketën poshtë Elizesë dhe do të flejë aty derisa Macroni të dalë në dritaren e zyrën e t’i kërkojë ndjesë. ‘Ndjesë o Bislim, s’e besoja se ishe kaq i fortë sa të pushtoje Pallatin e Mbretit!’.

… Por të gjithë ‘lepujt’ janë shpërndarë nëpër kopshtet e kryeqyteteve të Europës.

Përveç ‘kafshës Luan’ që iu drejtua Tiranës.

Komandanti trim i UÇK, Ramush Haradinaj, tha se ‘do të gatitet e të shkojë vetë’ te armiku Edi Rama. I vetmi nga ata të Kosovës që erdhi jo për të kërkuar hesap, por për të kërkuar ndihmë: ‘Më duket se nuk kemi parë gjë akoma, zoti Rama! Na rri afër, zoti Rama, se po na mbyt mashtrimi në Prishtinë’.

Dukej se po i thoshte se ‘në zgavrat e kafshëve politike’ po vërshonte tymi e po u merrte frymën.

E tëra ngjan me një ditë gjuetie nga e kaluara. Aty nga viti 1880, Keristoforidhi pat shkruar tregimin e tij ironik, edhe ai pa ndonjë fabul, si sot në qeverinë e Kosovës. E titulloi ‘Gjahu i Malësorëve’.

Ja kështu shkroi:

-Ç’muaj është tashi? -Korriku. -Sa dit ka muaji sot? -Sot ka tridhjetë ditë.

-Thuaj se dolli edhe ky muaj. -Është kohë e bukurë. -Ka bërë mot të mirë.

-A dalime nesër për gjah? -Dalime. -Me të vërtetë? -Po, besa. –Mbë ç’anë?

-Vemi ndë Malt të Tomorrit.

-Po atje të vemë e të gjuajmë, sepse atje ka mjaft egërsira. Atje ka edhe bisha, atje ka derra t’egërë, e ujq e çakaj, e arusha, e dre, e kapruaj, e dhi t’egëra, e dhelpëra, e lepuj. Po atje ka dhe thllënxa mali: ndër marrishin erë qëntë e të biemë në ndonjë tufë të madhe, kemi për të vrarë shumë nga ato. Nesër pra të dalëmë për gjah.

– Fortë mirë.’

… Kur të mblidhen gjahtarët në Prishtinë, atje do të jetë marrë vesh marrëzia e gjahut.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!