“Dikur mundja Messin, pastaj më bënë plak”, rrëfimi special i Valdet Ramës

schedule10:45 - 25 Dhjetor, 2020

schedule 10:45 - 25 Dhjetor, 2020

Valdet Rama, ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare, tani është pjesë e SV Meppen në Gjermani. Anësori ka provuar të luajë edhe në Spanjë e Kinë, ndërkohë që për gjashtë muaj u aktivizua edhe në Superiore me Kukësin. Me verilindorët mori minuta dhe u rikthyer në Gjermani. Së fundmi ai ka dhënë edhe një intervistë të gjatë për faqen e ligës së tretë gjermane dhe flet për shumë tema, nga ëndrrat e realizuara, te transferimet dhe jeta pas lënies së futbollit.

ËNDRRAT – “Kam pasur përvoja të bukura dhe të rëndësishme në karrierën time dhe ndodhi kur u transferova te Hannover në vitin 2009, si dhe kur isha pjesë e Valladolid në vitin 2013. Plotësova ëndrrat e fëmijërisë, pasi gjithmonë kam dashur që të luaja në Bundesliga dhe La Liga. Madje me Valladolid kemi qenë njëherë në gjendje që të mundim Barcelonën, që kishte në skuadër e Messi, Neymar dhe Xavi”.

TRANSFERIMET – “Nuk jam penduar për lëvizjet e bëra. Shpesh e mendoja, nëse vendimet e mia ishin të duhurat. Nuk pendohem për asgjë. Do të bëja të njëjta gjëra si sot. Gjithashtu kam bërë shumë miq kudo, me disa prej të cilëve jam akoma në kontakt të rregullt. Ka qenë një udhëtim emocionues deri më tani, por nuk ka mbaruar ende”.

 

EKSPERIENCA NË SUPERIORE – “Dëshiroja të kthehesha në Gjermani, gjithashtu të isha më afër familjes time, që jeton në Nordrhein-Vestfalen. Angazhimi në Shqipëri ishte vetëm një ndalesë për të fituar minutat dhe të luaja disa ndeshje. Para se të shkoja aty, pas një aventure në Kinë.

Isha pa klub për disa muaj dhe ishte e vështirë të fitoja një vend në Gjermani. Shumë klube më thanë se isha shumë i moshuar. Sidoqoftë, e dija që e kisha akoma dhe se aftësitë e mia ende mund të bënin diferencën. SV Meppen tregoi interes gjatë kohës që isha në Shqipëri dhe pak më vonë më dha mundësinë të luaj përsëri në një ligë profesionale gjermane. I jam mirënjohës”.

RIKTHIMI NË GJERMANI – “Dëshira ishte e madhe që të kthehesha në Gjermani. Kisha oferta nga kampionatet më të mira jashtë vendit, ku do të kisha bërë shumë më shumë para. Kjo nuk ishte e rëndësishme për mua. Meppen beri një përpjekje për t’u kujdesur për mua dhe distanca me familjen time nuk është e madhe. Këto ishin dy arsye se përse mbërrita këtu dhe nuk jam penduar për asnjë sekondë. Dua të luaj për aq kohë sa mundem”.

LËNIA E FUTBOLLIT – “Unë kam mbushur 33 vjeç këtë vit, por ndjehem si 26. Jam shumë i lumtur për këtë. Jam akoma në formë dhe mund të vazhdoj të luaj futboll në një nivel të lartë. Stërvitem shumë individualisht, si dhe i kushtoj shumë vëmendje një diete të shëndetshme. Nuk e kam ende të qartë se çfarë do të bëj pas karrierës sime në futboll. Do të shqetësohem për këtë kur të vijë koha”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!