Tre makina janë përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të së martës në Vlorë. Gazetari Elton Nika raporton se dy nga makinat janë djegur pjesërisht ndërsa një tjetër plotësisht.
Ngjarja ndodhi rreth orës 04:55, kur shërbimi zjarrfikës mori njoftim për një zjarr në dy automjete. U konstatua se kishin marrë flakë dy vetura dhe se rrezikoheshin shumë të tjera të parkuara.
Dy zjarrfikëse u vunë në dispozicion dhe menjëherë u bë izolimi i zjarrit për të mos u përhapur në mjetet e tjera. Gazetari raporton se shkaku i zjarrit mendohet të jetë i qëllimshëm.
Dyshohet që zjarri i është vendosur automjetit tip Ford me targa AB 634 AP dhe nga flakët janë përfshirë edhe dy të tjerat.
Njoftimi i policisë:
Mëngjesin e sotëm, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, janë përfshirë nga flakët 3 automjete të parkuara afër njëra-tjetrës, 2 prej tyre tip “Ford” të cilat janë djegur pjesërisht dhe njëri tip “Volkswagen” që është djegur plotësisht.
Paraprakisht dyshohet se zjarri është vënë qëllimisht. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkakut të vënies së zjarrit, identifikimin dhe kapjen e autorit./abcnews.al