Tre automjete janë djegur në Tiranë në orët e para të së hënës. Një prej mjeteve ishte në pronësi te ish-kryetarit të degës së PD-së në Vlorë. Automjeti ka qenë i parkuar, kur persona të paidentifikuar sipas policisë i kanë vendosur flakën.
Tre automjete u dogjën gjatë orëve të para të mëngjesit në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Haredin Shtino”. Siç shihet edhe nga pamjet, makinat kanë qenë të parkuara në momentin kur kanë marrë flakë.
Sipas njoftimit të policisë, fillimisht është përfshirë nga flakët automjeti tip “Mercedes-Benz”, në pronësi të Gramoz Nazërajt. Si pasojë e zjarrit në mjetin e parë kanë pësuar dëmtime të vogla edhe dy makina të tjera që kanë qenë të parkuara aty pranë.
Nazëraj ka qenë ish-kreu i Partisë Demokratike në Vlorë, ndërsa tani mban postin e anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD-së. I kontaktuar nga ABC News, vetë i dëmtuar u shpreh se automjetin tip “Mecedes-Benz” e kishte shitur disa kohë më parë në Tiranë mikut të tij por, nuk kishte bërë çregjistrimin e mjetit.
Paraprakisht policia po heton për zjarrvënie të qëllimshme, duke marr edhe dëshminë e personit që përdor makinën e djegur. Gjithashtu janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë së zonës së “Don Boskos” për të bërë të mundur identifikimin e autorit të mundshëm të ngjarjes./ABC News Albania 24/7