Duke marrë shkas nga situata lidhur me distribucionin e kanaleve DigitAlb, SuperSport, Top Channel, TV Klan, etj, në Republikën e Kosovës; DigitAlb përmes këtij komunikimi sqaron se:
Që prej vitit të largët 2004, DigitAlb u krijua si një Platforme Televizive me një qëllim të vetëm, atë të ruajtjes së Gjuhës Shqipe dhe bashkimit kulturor mes shqiptareve kudo në botë. Natyralisht kanalet DigitAlb filluan distribucionin në Kosovë, njëkohesisht me Shqiperinë, duke mos njohur asnjë barrierë të kohës.
Fjalët “bashkim kombëtar”, për ne në DigitAlb kanë qenë në qendër të vizionit dhe strategjisë sonë.
Ne jemi krenarë të themi që DigitAlb i ka paraprirë politikës dhe ekonomisë në shkrirjen e kufijve mes shqiptarëve. Mes Shqipërisë e Kosovës ka akoma kufij gjeo-politikë, por kufij kulturorë, gjuhësorë, sportivë e shpirtërorë nuk ka dhe këtu DigitAlb ka luajtur një rol kryesor.
Nisur nga spekulimet e ditëve të fundit, DigitAlb deklaron se është i hapur për bashkëpunim dhe distribucion të kanaleve televizive kundrejt të gjitha Platformave Televizive dhe të Telekomunikacionit në Republikën e Kosovës, në mënyrë qe i gjithë publiku në Kosovë të ketë qasje.
Kompania po punon në këtë drejtim dhe të gjithë operatorët e interesuar nga Kosova janë të ftuar te lidhin marrëveshje me DigitAlb për këtë qëllim.
DigitAlb ka bindje se operatorët e Kosovës që duan t’i ofrojnë publikut të vet kanale cilësore mbarëkombëtare, sporte elitare, Kombëtaren Kuq e Zi, Përfaqësuesen e Kosovës, Big Brother VIP Shqipëria etj, do t’i përgjigjen kërkesës së tregut për të bashkëpunuar.
DigitAlb, 20 vjet pjesë e familjes mbarëshqiptare.