Sekretari i Përgjithshëm i Vllaznisë, Blendi Dibra preku disa tema në emisionin “Pressing” në ABC News. Përveç skuadrës së Brdaric, fitores me Apoloninë në javën e parë dhe objektivave sportivë, zyrtari i klubit shkodran foli edhe rreth privatizimit të klubit verior.
“Privatizimi? Me ndryshimet ligjore në korrik të këtij viti, është detyrim që Bashkitë t’i privatizojnë klubet. Bashkia e Shkodrës ka dy vite që i ka nisur procedurat, ka bërë vlerësimin e aseteve. Ka një çmim 570 milion lekë (të vjetra), por janë edhe detyrime që shkojnë në 1.5 milion euro.
Po bëhen konsultime publike për momentin, pasi është detyrim ligjor. Këshilli Bashkiak pastaj vendos. Kërkohet shitja e të gjitha aksioneve, që më duke ekzagjeruar. Rezultatet e ekipit mund të bëjnë që procedurat të përshpejtohen.
Vllaznia është mit, por në aspektin financiar mund të shkojë edhe drejt falimentimit. Shpresojmë që sa më shpejt të kalojë në duart e privatit. Në raportin e vlerësimit nuk është e përcaktuar pjesa e borxhit. Edhe borxhi u kalohet atyre, por ka pikëpyetje. Duhet vullnet pozitiv që të zgjidhet.
Patjetër që mbetemi pjesë e garës. Do ketë ofertues të tjerë. Mund të kemi avantazh për shkak të një marrëveshjeje që kemi për sponsorizimin. Shuma e sponsorizimit do jetë një aset pozitiv, më i madh. Shpresoj që do të na shkojë mbarë“, deklaroi Dibra. /abcnews.al