Dialogu Kosovë-Serbi, Hoxhaj: Kurti të jetë serioz, ne do japim kontributin tonë maksimal si opozitë

schedule18:45 - 17 Shkurt, 2023

schedule 18:45 - 17 Shkurt, 2023

KOSOVË- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se Kosova ndodhet në një fazë kritike për shtetësinë e saj. Gjatë një interviste në “Special Report” me gazetarin Arlind Isa, Hoxhaj theksoi se Kurti duhet të vijojë me procesin e dialogut, i cili në mes të ketë njohjen reciproke.

Në 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, kreu i PDK-së thekson se klasa politike duhet të jetë e përgjegjshme, ndërkohë shtoi se Kurti nëse do jetë serioz, ai do ketë mbështetjen e opozitës në këtë proces kyç për shtetësinë e vendit.

“Është ngjarja më e madhe e historisë së Kosovës. Kjo hap një kapitull të ri, të shtetit të lirë dhe të pavarur, është zëvendësim i padrejtësive historike që i bëhet kombit shqiptar. Tregon për një rrugë të gjatë, me skarifica dhe me plot vullnet. Tani jemi në një fazë që duhet ta përmbyllim shtetësinë tonë, dhe dialogu nuk është instrument o poshtërimit, por është instrument i rëndësishëm që Kosova të ndërtojë marrëdhënie dhe ta marrë njohjen e ndërsjellë. Në vitin 2008 kemi triumfuar mbi Serbisë dhe në 2023 ne nuk duhet të sillemi si viktimë dhe dialogu duhet të përfundojmë me njohje dhe nuk mund të këtë normalizime pa njohje të ndërsjellë. Ne kërkojmë që kjo të ndodhë. Në pikëpamjen time, politika e Kosovës, duhet t’i rikthehet pikënisjes së dialogut në vitin 2011. Kurti ka një mandat dhe ai duhet të negociojë për njohje të ndërsjellë, ta shohim se ku do arrijë. Nëse z.Kurti ka mbështetjen e qytetarëve, shtrohet pyetja pse duhet legjitimiteti politik nëse nuk e përdor. Nëse z. Kurti nuk i beson dialogut dhe vetes, atëherë Kosova dhe ai ka një problem serioz. Ai duhet të hyjë me vullnet për një proces të tillë. Marrëveshjen duhet ta gjykojmë kur e kemi në letër dhe z. Kurti nuk do duhet bëjë gabimet që ka bërë kur ka qenë në opozitë. Ne si opozitë do jemi unik, nëse ai i beson procesit”, tha ai.

Sipas tij, Kurti duhet të jetë i hapur dhe shumë bashkëpunues me partnerët ndërkombëtarë. Ai shtoi se nëse Kosova nuk arrin të anëtarësohet në OKB, të paktën të bëhet pjesë e NATO-s si goditje e ndikimit rus në Ballkan.

“Unë mendoj se është detyra jonë si elitë politike që ta udhëheqim popullin. Ne e kemi për detyrë me përmbyllim shtetësinë tonë. Ne kemi për detyrë t’ia vendosim kulmin kësaj shtëpie. Kurti të jetë serioz, i vendosur dhe të shkojë në dialog për njohje të ndërsjellë. Ai duhet të jetë i qartë me partnerët perëndimorë. Nëse anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk është i mundur, ai duhet të insistojë para partnerëve, që ne të jemi në NATO. Anëtarësimi në NATO do ta bënte më pak relevant ndikimin rus në Ballkan, dhe do të shtensiononte raportet tona me Serbinë dhe do ishte muri i mirëfilltë i përpjekjes serbe për të shtrirë hegjemoninë në Ballkan”, shtoi ai.

Ai theksoi se në këto kushte, kur Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëjnë një investim kaq të madh, Kosovës nuk i duhen zgjedhjet e parakohshme, por shtoi se z. Kurti duhet ta justifikojë mandatin që ka marrë nga qytetarët për procesin e dialogut.

“Ne kemi pasur para 2 vitesh zgjedhje. Ne jemi në një fazë kritike të vendit, ka një vendimmarrje evropiane dhe amerikane për të lëvizur Kosovën përpara dhe në një vit të tillë, është më jetike për Kurtin, i cili ka marrë mandat tani duhet të bindë qytetarin e Kosovës. Ne do ta japim kontributin tonë maksimal si opozitë. Ne do të jemi bashkë për tema të rëndësishme”, shtoi ai/n.m.abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!