Dhuna ndaj grave në Shqipëri, OSBE: 56% e tyre kanë përjetuar një formë të saj

schedule15:58 - 8 Tetor, 2019

schedule 15:58 - 8 Tetor, 2019

Të dhunohesh dhe të duket si diçka e zakonshme. Në Shqipëri sipas një ankete të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, kështu mendojnë 88% e grave. Ndërkohë fenomeni ka një përhapje të gjerë, 56% e grave pranojnë se kanë përjetuar një formë të dhunës dhe vetëm 3%  kanë denoncuar atë në polici.

“Burrave u lejohet të bëjnë gjithçka”

Grua nga mosha 36-55 vjeçe, zona urbane

“Bindju gjithmonë urdhrave të burrit tënd”

Grua nga mosha 19-40 vjeçe, komuniteti rom

Shumë gra në Shqipëri mendësi të tillë kanë edhe kur bëhet fjalë për dhunën.  88% e tyre  e konsiderojnë këtë fenomen si një gjë të zakonshme.

Të dhënat ashtu si dhe citimet vijnë nga anketa e OSBE-së “Mirëqenia dhe Siguria e Grave” sipas së cilës 56% e  të pyeturave kanë pranuar se ndaj tyre është ushtruar dhunë që në moshën 15 vjeçe.

22 %  kanë treguar se bëhet fjalë për dhunë fizike apo seksuale nga partneri ose dikush tjetër.

“Shqipëria sa i përket të dhënave statistikore ngjason me rajonin. Ajo që shihet si tabu në vendin tuaj është dhuna seksuale. Arsye kjo qe mbahet brenda mureve të shtëpisë dhe nuk raportohet si problem”.

Vetëm 3% e grave të cilat kanë përjetuar dhunë nga partneri sipas këtij raporti e kanë raportuar atë në polici.

Gratë duket se nuk kanë besim as tek organizata në mbrojtje të tyre. Ndonëse rreth 70% kanë dëgjuar për to përfituese janë vetëm 1%.

“Gratë duhet të ndërgjegjësohen dhe të kërkojnë ndihmë. Burrat dhe djemtë duhet të flasin për dhunën. Ne duhet t’i ndihmojmë dhe ata. Ndërsa institucionet duhet të hapin qendra për trajtimin e rasteve të dhunës dhe të ndërgjegjësojnë opinionin publik, pasi gratë kanë të drejta të barabarta me burrat“.

Ky studim është anketa e parë përfaqësuese e këtij lloji në Evropën Juglindore dhe ka për qëllim hartimin e politikave për eleminimin e fenomenit. Studimi u realizua në pranverën e vitit 2018 dhe përfshiu gra nga mosha 18 deri 74 vjeçe nga zonat urbane dhe rurale.  /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!