Dhuna me molotov ndaj bashkisë/ Procedohen penalisht tre protestues, tre të tjerë në kërkim

schedule10:02 - 1 Maj, 2024

schedule 10:02 - 1 Maj, 2024

Policia e Tiranës, ka vënë në hetim 3 simpatizantë të Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë, pas akteve të dhunës që ndodhën pasditen e të martës para godinës së Bashkisë së Tiranës.

Në gjendje të lirë po procedohen,  Klodjan Korriku, 27 vjeç, Selaudin Gordani, 40 vjeç, dhe Arben Qordja, 63 vjeç, pasi dyshohen për veprat ‘Prishja e qetësisë publike’ dhe ‘Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik’.

Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim dy 19-vjeçar si dhe një 57-vjeçar, për shkak se nga pamjet filmike ata dyshohet se kanë hedhur molotov dhe sende të forta në derën e bashkisë së Tiranës. Të 3 të shpallurit në kërkim dyshohen për veprat penale ‘Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse’, ‘Shkatërrimi i pronës me zjarr’ dhe ‘Goditjet për shkak të detyrës’.

Materialet hetimore, policia ia ka kaluar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa ka bërë thirrje që të gjithë pjesëmarrësit në protesta të distancohen nga aktet e dhunës.

/abcnews.al/