Dështuan negociatat me kompaninë “Fusha”, Mazniku: Ne deshëm që Teatri i ri të ndërtohej shpejt

schedule20:54 - 26 Shkurt, 2020

schedule 20:54 - 26 Shkurt, 2020

N/kryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbi Mazniku i ftuar në studion e Abc News, foli për prishjen e negociatave me kompaninë “Fusha” për ndërtimin e Teatrit Kombëtar me PPP. Ai tha se Teatri tashmë do të ndërtohet me fonde publike, pasi kompania private nuk mori përsipër ta ndërtonte shpejt teatrin e ri. “Pas votimit në parlament, kaluam në fazën e negociimit që parimisht dihet se fillon por jo se si mbaron. Në grupin e negociimit kishte përfaqësues nga shumë institucione por edhe artistë. Ne kërkuam që të bëhej një teater i mirë që do qendrojë në qytet për 100 apo 200 vitet e ardhshme”, u shpreh Mazniku.

Ai më tej sqaroi se “kërkuam dy kategori, sa i përket aspektit teknologjik që kërkohej nga ana e artistëve dhe afatet e zbatimit të projektit. Ne, pra e donim Teatrin e ri Kombëtar me cilësi dhe shpejt, kompania nuk erdhi dot në parametrat tona. Kërkesat tona nuk negocioheshin, ndaj edhe u ndërprenë negociatat me kompaninë në fjalë”.

Mazniku tha “kërkesa jonë konsistonte me fillimin e projektit dhe mbarimin. Zhvillimi pas Teatrit le të merrte kohën e vet, por ndërtimin e teatrit deshëm që të bëhej më shpejt”.

I pyetur se pse nuk nisën negociatat me ndonjë kompani tjeter, Mazniku u përgjigj se “nuk deshëm të humbasim më kohë dhe tashmë do të ndërtohet me fonde publike sipas të njëjtit projekt”.

Sipas tij, hapësira e teatrit ekzistues do t’i mbetet teatrit, pra ai truall që ka në dispozicion nuk do të ndryshojë.

Sot thatë se do ndërtohet me fonde nga buxheti i shtetit, ndërsa qeveria më parë ka thënë se nuk ka fonde dhe mënyra më e mirë është PPP. Ku do i gjeje tani shteti lekët?

Mazniku: Në rastin e teatrit kishim një opsion ta ndërtonim pa prekur paratë e buxhetit të shtetit, por kjo rrugë doli e pasuksesshme. Tani duhet të nisin diskutim të ri me qeverinë për financime publike, duke qendruar besnik kërkesës së artistëve për teater cilësor. Unë besoj se jemi në një pikë që jemi në dakordësi se s’ka hapa mbrapsht për projektin e Teatrit. Angazhimi është që brenda 100 vjetorit të Tiranës të ndërtojmë Teatrin e ri. /abcnews.al

Lexo edhe:
Nuk ka kulla tek Teatri Kombëtar: Prishet marrëveshja mes Bashkisë dhe kompanisë “Fusha”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!