Dështimi i Referendumit në veri të Kosovës, serbët bojkotojnë procesin/ Nazarko: Kurti nuk ka mbajtur premtimet!

schedule20:18 - 22 Prill, 2024

schedule 20:18 - 22 Prill, 2024

Në asnjërën nga komunat veriore të banuara me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, nuk u arrit numri i nevojshëm i votave për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.

Procesi u bojkotua nga qytetarët serbë të asaj pjese pas ftesës së Listës Serbe për të mos dalë në votime.

Në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, analisti Mentor Nazarko foli për situatën në veri të Kosovës duke u ndalur edhe tek dështimi i Referendumit në veri.

“Qeveria Kurti ka treguar që nuk ka vizion strategjik, mund të ketë shkathtësi taktike, por nuk ka vizion,. Dhe ky vizion nevojitet për të fituar beteja në plan ndërkombëtar, në afat të gjatë dhe jo afat të shkurtër. Në pikëpamje të shkathtësive taktike mund të duket sikur Kurti i tregoi ndërkombëtarëve, por kjo nuk rezulton në komunikim që ka vijuar pas asaj që ndodhi, që ‘shiko se nuk kisha çfarë të bëja se serbët bojkotuan’. Forca e kombit tonë në rajon qëndron tek sinkronizimi i faktori politik. Nëse shqiptarët veprojnë në sinkron atëherë janë kombi më i rëndësishëm në Ballkan, bashkë me serbët”, tha Nazarko.

Gjithashtu ai u shpreh se në veri të Kosovës, Kurti nuk ka arritur të bëjë atë që premtoi në fillim, pra ‘dialogun me serbët lokalë’.

“Dikush mund të thotë se është rritur siguria në veri. Por nëse tërhiqen forcat speciale çfarë ndodh? Rikthimi në gjendjen e mëparshme. Kurti nuk ka ofruar politika për serbët në Kosovë”, tha ndër të tjera ai.

Më tej shpjegoi se serbët e Kosovës të vazhdojnë të identifikohen me Serbinë është diçka tërësisht natyrale, por sipas tij vetëm një person që ka një qasje egocentrike si kryeministri Kurti tenton që ta shesë këtë si një absurditet.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!