Dështimi i radhës në Kupën e Botës për Ronaldon e Mesin

schedule12:47 - 1 Korrik, 2018

schedule 12:47 - 1 Korrik, 2018

Mesi dhe Ronaldo pësuan një tjetër dështim në kupat e botës. Dy lojtarët më të mirë në botë kanë pasur fat të ngjashëm në karrierë, dhe mesa duket nuk do ta fitojnë kurrë një titull botëror.

U mundën në të njëjtën ditë, si të ishin vëllezër siamezë. Lionel Mesi e Kristiano Ronaldo dolën nga Botërori këtë të shtunë, dhe nuk dihet nëse do ta fitojnë ndonjë herë kupën e artë të FIFA-s.

Njëri 31 vjeç e tjetri 33 po i afrohen fundit të dy prej karrierave më të lavdishme në histori, me vetëm një njollë, pa titull botëror. Franca e Uruguaj sikur thanë se turneu rus është kaq i mirë, sa nuk ka nevojë as për më të mirët në rruzull.

Të dy superyjet që kanë dominuar dekadën, kanë pasur po ashtu fat të njëjtë, në botërorët e kaluar, gjithnjë të keq. Në 2006, Argjentina dhe Mesi u eleminuan me penallti nga Gjermania vendase, në çerekfinale.

Në 2010, ishte sërish Gjermania që mposhti kombëtaren e drejtuar nga Maradona, me Mesin yllin kryesor, këtë herë plot 4-0. Katër vjet më vonë, fatale për Mesin u bë edhe një herë Gjermania.

Gjithsesi, argjentinasit arritën deri në finale dhe ishin më pranë se kurrë me titullin, veçse gjermanët superiorë fituan në fund. Ronaldo po ashtu ka luajtur në 4 botërorë, ashtu si Mesi.

Në 2006, Portugalia shumë e mirë e Dekos, Luis Figos e Ronaldos, u mund 1-0 nga Franca e Zidanit. Në Botërorin e Afrikës së Jugut në 2010, rruga e Ronaldos u pre nga Spanja e madhe, që fitoi edhe titullin. David Vija përcaktoi ndeshjen e turit të dytë.

Së fundi, në 2014, portugezët ishin më të dobët, duke u eleminuar në grup, pas humbjes me Gjermaninë 0-4, barazimit 2-2 me SHBA-në, e pavarësisht fitores 2-1 ndaj Ganës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!