Dështimi i Prokurorisë për “Pogradecin”/ Prokuroria e Përgjithshme, asnjë veprim për prokuroren

schedule15:07 - 16 Gusht, 2024

schedule 15:07 - 16 Gusht, 2024

Teksa kanë kaluar 6 ditë nga krimi i rëndë në Pogradec ku 42 vjeçar Egli Proga dyshohet se humbi jetën si pasojë e dhunës nga Denis Meçe, ende asnjë reagim nuk ka ardhur nga Prokuroria e Pergjithshme, lidhur me veprimet e prokurores Vasjana Postol, e cila duke mos marrë parasysh referimin e policisë për “vrasje me dashje”, zbuti akuzën në “vrasje nga pakujdesia”.

ABC News kërkoi zyrtarisht informacion në Prokurorinë  nëse janë kryer veprime për situatën e krijuar nga prokuroja Vasjana Postol, dhe përplasjet e saj me Policinë e Shtetit, por deri në këtë momente nuk ka asnjë reagim.

Në një nga detyrat dhe kompetencat e Prokurorisë së Përgjithshme thuhet, se ky institucion nxjerr udhëzime me shkrim për prokurorët e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe mbikëqyr zbatimin e tyre, por deri në këtë moment ky veprim nuk është ndërmarrë.

Prokuroria e Përgjithshëm ka përgjegjësi për punën e prokurorive pranë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, çka do të thotë se heshtja e këtij institucioni merr në mbrojtje prokuroren Vasjana Postol, e cila zbuti akuzën ndaj Denis Meçes.

E vetmja lëvizje për këtë situatë, ka qenë hetimi I nisur nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë që ka kërkuar informacion Prokurorisë dhe Gjykatës së Korçës për të bërë verifikimet lidhur me procedurat që janë ndjekur për hetimin e vrasjes së Egli Progës. ILD, kërkon të zbardhin mënyrën se si u ndryshua akuza nga “vrasje me dashje” në “vrasje nga pakujdesia” për autorin 29 vjeçar Denis Meçe dhe nëse pas këtij ndryshimi fshihen ndërhyrje të paligjshme apo jo.

Por kush eshte Prokurorja Vasjana Postol?

Vasjana Postol, u emërua në detyrë si prokurore e Korçës më 27 korrik të vitit 2022, pas vakancave të krijuara në sistemin në drejtësi për shkak të largimeve nga vettingu. Rezulton se Vasjana Postol është diplomuar po në vitin 2022 në Shkollën e magjistraturës.

Duke qenë se nuk ka qenë në sistemin e drejtësisë gjatë kohës kur nisi procesi, Vasjana Postol nuk ka kaluar në filtrate e Vettingut. Rivlersimi Periodik për të është kryer nga Këshilli I Lartë I Prokurorisë, ku thuhet se nuk ka masa disiplonore në fuqi.

Ndërkohë Gjyqtarja, Luljeta Kole e cila pavarësisht zbutjes së akuzës nga Prokurorja Vasjana Postol, pranoi të vijojë seancën, rezulton se ka kaluar në filtrat e e vettingut. Ndaj saj nuk është bërë asnjë ankimin, dhe vendimi për konfirmimin e saj në detyre ka marrë formën e prerë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!